Kronikë

23-vjeçari ndërron jetë pas aksidentit të rëndë, prindërit denoncojnë mjekët e Traumës: Djali vdiq nga neglizhenca

Prindërit e 23-vjeçarit Albert Togu kanë kallëzuar në Prokurori mjekët e Spitalit të Traumës, për neglizhencë mjekësorë dhe i kanë bërë përgjegjës për vdekjen e të birit mëngjesin e sotëm.

Familjarët tregojnë për “News 24”, se djali i tyre ndodhej i shtruar në spitalin e Traumës si pasojë e një aksidenti rrugor.

Babi i 23-vjeçarit Albert Togu ka kallëzuar në Prokurori mjekët, pasi sipas tij, i riu ndërroi jetë nga neglizhenca.

I tronditur, Kujtim Togu thotë se trupi i të birit u transportua në Morg por ende nuk i është bërë autopsia.

Ai thekson se, mjekësia ligjore nuk mund të kryejë autopsinë pa kartelën e 23-vjeçarit, e cila nuk është lëshuar ende nga Spitali i Traumës.

Albert Togu u aksidentua një javë më parë në Gjorm të Kurbinit teksa ishte duke udhëtuar në automjet me 2 persona të tjerë, pasi automjeti tip “Audi” me të cilin ata udhëtonin, devijoi nga rruga dhe u përplas me barrierat anësore.