Aktualitet

240 shtëpi pa drita në Berat, reshjet lënë pa energji fshatra në Skrapar e Kuçovë

Qarku i Beratit është prekur gjatë fundjavës nga moti me shi dhe erëra të forta. Si pasojë e stuhisë që ka vijuar përgjatë gjithë natës deri mëngjesin e së hënës disa zona, kryesisht malore kanë mbetur pa energji elektrike në rrethin e Skraparit dhe Kuçovës.

OSHEE-ja bën me dije se është dëmtuar rrjeti shpërndarës në nënstacionin e Çorovodës, duke nxjerrë jashtë funksionit disa kabina elektrike.

Si pasojë kanë mbetur pa drita më shumë se 40 abonentë në fshatrat Leshnjë, Potom, Kostren dhe Tomor.

Dëmtime të linjave të shpërndarjes së energjisë elektrike ka pasur edhe në Kuçovë, ku era e fortë dhe reshjet e shiut kanë dëmtuar fidrin e nënstacionit të Kuçovës. Më shumë se 200 abonentë në zonën Gegë-Frashër kanë mbetur pa drita dhe 6 kabina elektrike kanë dalë jashtë funksionit. Sipas OSHEE-së në Berat, grupet e punës kanë dalë në terren për të riparuar linjat e dëmtuara, me qëllim rikthimin e energjisë elektrike tek abonentët, duke marrë parasysh edhe faktin se përgjatë këtyre ditëve temperaturat e ajrit do të jenë të ulëta.

Problemet e tilla shkaktohen edhe nga amortizimi i rrjetit elektrifikues si dhe mungesës së investimeve ndër vite në këto zona.