Xhemal Qefalia, pasi u shpërblye nga Edi Rama me postin e zëvendësministrit të Brendshëm, ka komentuar kriminalitetin në vend dhe ka ndjekur të njëjtën linjë si ministria Koçiu.
Pas disa jetëve të marra, ndoshta edhe me “bekimin” e policisë”, me paturpësinë më të madhe Qefalia shprehet se ngjarje të tilla ndodhin kudo në botë. Ai shprehet më tej se emërimi i tij nuk erdhi fill pas atentatit në Rinas, por ishte planifikuar më herët.
“Është një vlerësim që ka bërë kryeministri Edi Rama. Ai miratoi qenien time si zv.ministër i Brendshëm. Është një profil që e njoh. Në aktivitetin politik, si anëtar i Komisionit të Sigurisë, kemi miratuar ligje që do të duhet t’i ndjekësh nga afër. Do të bëj maksimumin për rritje të elementëve të sigurisë publike. Nuk lidhet kjo ngjarje me emërimin tim. Ishte një veprim që kishte kohë që kishte nisur. Mbledhja qëlloi që do të ishte në atë datë dhe nuk përputhet me ngjarjen që ndodhi në dalje të aeroportit të Rinasit.”, tha ai.
I pyetur se sa i sigurt është vendi ynë, Qefalia tha se “këto ngjarje kërkojnë tërheqjen e vëmendjes që cënojnë sigurinë publike. Këto janë ngjarje që ndodhin dhe në vende të ndryshme të botës. Në media u njohëm pak ditë më parë që u sulmuan dy ushtarë në Shtëpie e Bardhë, ndaj të tilla ngjarjen ndodhin. Por vrasja në Elbasan u zbulua në kohë rekord. Nëse nuk ndodhin ngjarje, i bie mos të ketë dhe polici. Nuk duhet të fokusohemi te dy ngjarje për të demoralizuar punën e policisë.”.
Kujtojmë se katër atentate të njëpasnjëshme nga jugu në veri goditën Shqipërinë, duke lënë pas katër viktima. Vrasjet nisën që në mbrëmjen e 1 nëntorit, në fshatin Gjormë të Selenicës, ku 36-vjeçari Dalan Alliaj u vra në derën e banesës së tij me gjashtë plumba. Sipas hetuesve, ai ishte thirrur nga kushëriri i tij, Bertil Alliaj, një i arratisur prej vitesh dhe i dënuar në mungesë për masakrën e Çoles. Takimi që, sipas familjes, duhej të sqaronte një bisedë, përfundoi në ekzekutim. Autori u arrestua pas disa orësh, por motivi zyrtar ende nuk është zbardhur, ndërsa dyshimet lidhen me konflikte të brendshme familjare.
Dhjetë ditë më pas, në 11 nëntor, vendi u trondit nga atentati i rëndë pranë aeroportit të Rinasit. Gilmando Dani, miku i ngushtë i Emiljano Shullazit, u qëllua me breshëri automatiku ndërsa udhëtonte me oficerin e AMP-së, Mustafa Sheqeri, i cili u nda nga jeta pas katër ditësh në spital.
Më 25 nëntor, Lushnja u përfshi në një episod kriminal. Makina e Julian Sulës, i njohur si “Juli i Pashakos”, u qëllua me breshëri kallashnikovi. Ai shpëtoi pa lëndime, ndërsa autorët braktisën dhe dogjën mjetin e përdorur.
Seria e ngjarjeve të rënda u mbyll më 30 nëntor në Elbasan. Biznesmeni Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, u ekzekutua brenda “Range Rover”-it të tij pranë karburantit “Xhaxhi Oil”.
Kujtojmë gjithashtu se Xhemal Qefalia është akuzuar shpeshherë se përfiton tendera pa konkurrentë dhe biznesi i familjes së tij “gllabëron” miliarda lekë.