Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, reagon pas lajmit se një person është arrestuar në Lushnjë, duke premtuar 500 euro në këmbim të votës për këtë forcë politike të drejtuar nga Sali Berisha.
“Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje”, thotë reagimi.
Ai mban firmën e deputetit Saimir Korreshi dhe akuzohet drejtpërdrejt Policia e Shtetit, se është bërë palë me partinë në pushtet për të përbaltur Partinë Demokratike. Shtabi i PD i bën thirrje SPAK të marrë në dorë hetimet.
“Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin”, vijon reagimi.
Tre ditë nga nisja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, u regjistrua dhe arrestimi i parë për korrupsion aktiv në zgjedhje. Bëhet fjalë për 38-vjeçarin nga Lushnja, i identifikuar si Marin Leka, i cili ra në prangat e bluve pasi i kishte premtuar një shumë parash një qytetari në këmbim të votës për Partinë Demokratike.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se Leka i kishte marrë kartën e identitetit shtetasit Muharrem Toska dhe i kishte premtuar 500 euro në këmbim të votës për partinë e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
REAGIM I SHTABIT TË PD, QARKU FIER
Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje.
Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin.
Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD.
Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në miringjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier.
Me Respekt,
Saimir Korreshi