Ervin Demo e Albana Koçiu, bashkëkryetarë për Tiranën, Manastirliu mbetet drejtuese qarku
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo dhe zv.Kryeministrja Albana Koçiu janë zyrtarisht bashkëkryetarë të Partisë Socialiste për Tiranën, ndërsa Ogerta Manastirliu do të vijojë të mbetet drejtuese politike e kësaj partie në kryeqytet.
Vendimi i marrë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së është konfirmuar nga Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i kësaj force politike.
Demo dhe Koçiu do të drejtojnë strukturat e PS-së për Tiranën, duke u marrë me organizimin, ndërsa Manastirliu do të vijojë të mbajë pozicionin e drejtueses politike, që iu besua më shumë se 1 vit më parë.
Asambleja Kombëtare vendosi më herët që Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës, të largohej nga pozicionet drejtuese të strukturave të PS-së për kryeqytetin.
“Për Tiranën janë propozuar dy bashkëkryetarë, Ervin Demo dhe Albana Koçiu. Ogerta Manastirliu do të vijojë të mbetet drejtuese politike”, tha Klosi.
Sipas tij, PS po përgatitet për fushatën e zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 9 maj, ndërsa theksoi se i gjithë organizimi do të jetë në përputhje me ndarjen e re territoriale.
