Politikë

Rama, ironi me PD-në në Kuvend: Të jesh në opozitë e të mos të pranojnë t’i afrohesh protestës, është gjëja më e dhimbshme

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj në Kuvend kërkesës së opozitës për të diskutuar për protestën. Ai tha se protestat kundër qeverisë janë të natyrshme, ndërsa ironizoi opozitën duke thënë se protestuesit nuk e pranuan t’i afrohej protestës.

Rama foli edhe për raportin e progresit të BE-së, duke veçuar rekomandimin për nisjen e përgatitjeve për traktatin e anëtarësimit në vitin 2027.

“Edhe raportin e progresit të BE-së e ripërtupin në publik, si të ishte fakt kundër kësaj shumice dhe kësaj qeverie. Në raportin e progresit ka një togfjalësh që i thotë të tëra arsyet përse ne jemi krenarë për punën tonë, që i thotë të tëra arsyet përse ne duhet dhe do ta vazhdojmë deri në fund punën tonë, pse askush tjetër nuk e bën dot punën tonë.

KE-ja i rekomandon Këshillit që në vitin 2027 të nisë përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga KE-ja, në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen të paraqesin me këmbë e me duar, me britma, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën.

Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Të jesh në pushtet dhe të të kërkojnë llogari me protesta është gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe të mos të pranojnë t’i afrohesh protestës është gjëja më e dhimbshme dhe është fakti që vlen për të kuptuar se çfarë janë këta që s’janë fare, jo vetëm fizikisht, por as politikisht relevantë në këtë vend”, tha Rama.