Politikë

A do të ketë tensione në protestën e opozitës? Balliu: Ilir Proda po na provokon

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka folur lidhur me protestën e sotme të organizuar nga PD. Ai deklaroi se protesta është njoftuar në përputhje me ligjin dhe se organizatorët nuk kanë detyrim të marrin leje nga Policia e Shtetit, por vetëm të bëjnë njoftim zyrtar.

Në një intervistë për “A2 CNN”, pak orë para zhvillimit të tubimit, Balliu e cilësoi si “nonsens” qëndrimin e Policisë së Shtetit lidhur me organizimin e protestës. Ai akuzoi drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, për përpjekje për provokime dhe tensionim të situatës.

Deputeti demokrat theksoi se protestat e organizuara nga opozita kanë qenë paqësore dhe mohoi pretendimet për ushtrim dhune ndaj efektivëve të policisë. Sipas tij, nuk ka pasur raste të tilla, ndërsa shtoi se qytetarët ndodhen nën presion dhe padrejtësi sociale.

“Populli nuk bën dhunë. Populli vetëm mbrohet. Dhunë nuk ka. Ka vetëmbrojtje. Reagimi i qytetarëve vjen si pasojë e asaj që ai e konsideron “dhunë të shtetit” përmes cenimit të pronës dhe kushteve ekonomike”, tha deputeti i PD.

Balliu deklaroi se protestat mund të përshkallëzohen nëse nuk ka reagim nga qeveria ndaj kërkesave të opozitës.

“Është logjike të ketë përshkallëzim. Gjithçka, nuk përjashtojmë absolutisht asgjë”, u shpreh ai, duke theksuar se reagimi qytetar mbetet në kuadër të vetëmbrojtjes.

Klevis Balliu u shpreh i bindur se pjesëmarrja në protestë do të jetë e lartë dhe në rritje, ndërsa falënderoi qytetarët për, sipas tij, qëndresën përballë presionit dhe frikës.