Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, biznesmeni i njohur Samir Mane hodhi poshtë aludimet për një përfshirje të mundshme të tij në politikë.
Ai theksoi se nuk ka asnjë ambicie në këtë drejtim, të paktën jo për momentin. Mane u shpreh se është i përqendruar te zhvillimi i projekteve të tij në Shqipëri dhe në rajon, përmes sipërmarrjes.
Pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për lajmet që e kanë lidhur me Partinë Demokratike dhe përfoljen se mund të kandidonte si kryetar i saj, Mane u tregua i prerë.
“Në vitet e fundit nuk më ka shkuar asnjëherë në mendje të jem pjesë e politikës. Politika është një fushë e rëndësishme, por nuk është për mua,” u shpreh ai.
Edhe pse pranoi se e ndjek zhvillimin politik dhe është i interesuar si qytetar, Mane nënvizoi se nuk ka dëshirë të bëhet pjesë aktive e saj. “Nuk më thotë asgjë politika. Jam shumë i kënaqur me kontributin që jap përmes punës sime në biznes,” përfundoi ai.
Pjesë nga biseda:
Samir Mane: Në fakt në vitet e fundit s’kam menduar asnjëherë të jem pjesë e politikës. Padyshim politika është një gjë e mirë.
Blendi Fevziu: A ju intereson politika personalisht?
Samir Mane: E ndjek, e shoh, por vetëm nuk kam asnjë lloj ambicie për t’u përfshirë në politikë.
Blendi Fevziu: Nuk do të përfshihesh asnjëherë?
Samir Mane: Nuk do të përfshihem asnjëherë në politikë ose të paktën për momentin jo njëherë, nuk më thotë asnjë gjë politika, jam shumë i kënaqur me atë që krijoj për Shqipërinë, për rajonin, për vendet ku punoj.