Politikë

Aferat në shëndetësi, Braçe “shpërthen” ndaj FSDKSH: Të shkrihet me urgjencë, hemodializa rrjedh para dhe jo gjak!

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar fort sa i takon aferave me koncesionet në shëndetësi. Ai mori fjalën në kuadër të raportimi të kreut të KLSH, ku lëshoi akuza të forta ndaj Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). KLSH ka zbuluar shumë abuzime nga ky organ.

Gjetjet e KLSH janë të rëndësishme  sa i takon FSDKSH, që i ka ardhur koha të shembet dhe të ndërtohet nga para. Gjetjet e KLSH që janë paguar ilaçe të rimbursueshme për njerëz të vdekur, është një element që skema është korruptuar. Gjetja e KLSH të një lidhjeje në këtë skemë midis mjekëve duke përdorur pacientët, recetat e tyre, farmacive për brande të caktuara të ilaçeve është gjetje që sjell në vëmendje që skema është korruptuar duke bërë të pavlerë politikën e rimbursimit të ilaçeve. Kjo politikë të ndryshojë që vërtet njerëzit që janë në nevojë të marrin ilaçe të rimbursura 100% dhe ata që korruptojnë skemën të mos jenë pjesë e saj”, tha ai.

Më tej ai u ndal edhe te koncesioni i hemodializës. Sipas deputetit të PS, ai po rrjedh para dhe jo gjak.

Kontratat e PPP-ve janë duke përfunduar dhe gjetjet e KLSh-së duhet të vlejnë si evidencë për fundin e këtyre kontratave. Një koncesion që vjen vit për vit nga KLSh është ai i hemodializës, që ka brenda një trajektore jo gjaku, por para, që shkojnë nga njëra dorë në tjetrën dhe në fund janë pagesa nga buxheti i shtetit për një shërbim të padhënë. Ajo që kam kërkuar është që KLSH të auditojë plotësisht kontratat e PPP-ve në shëndetësi të cilët janë në limite të afatit që të ndihmojë vendimmarrësit të marrin një vendim të qartë të atyre kontratave”, tha Braçe.