Politikë

Ku janë 2 satelitët e Edi Ramës: Agolli i FSHZH i jep 2.7 milionë euro një firme turke për pamje satelitore

Ky tender për shërbim fotografimi satelitor, me vlerë kontrate 2.7 milionë euro, i është dhënë kompanisë turke “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.”, me qendër në Ankara dhe adresë në bizneset e dhëndrit të presidentit turk.

Pasi qeveria shpalli nisjen në orbitë të dy satelitëve shqiptarë “Albania 1” dhe “Albania 2”, të paguar 6 milionë euro për monitorim satelitor të territorit, dokumente zyrtare tregojnë se është lidhur një kontratë tjetër prej 2.7 milionë eurosh për fotografim ajror dhe prodhim imazhesh. Tenderi i datës 26 janar 2026 iu dha kompanisë turke “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.”, e lidhur me rrethin familjar të presidentit turk. Shpenzimi i dyfishtë për të njëjtin shërbim, mungesa e provave për funksionimin real të satelitëve dhe lidhjet politike të përfituesve ngrenë dyshime serioze për një tjetër aferë me fonde publike, që kërkon verifikim penal dhe auditim të pavarur ndërkombëtar.

Më 3 janar 2023, kryeministri Edi Rama njoftoi me bujë nisjen në orbitë të dy satelitëve shqiptarë “Albania 1” dhe “Albania 2”, duke e quajtur këtë një arritje strategjike gjeohapësinore.

Me këta satelitë, të paguar 6 milionë euro, Edi Rama garantoi monitorimin e ndërtimeve pa leje, rrëshqitjeve të tokës, kontrollin e digave dhe urave, paralajmërimin e përmbytjeve dhe tërmeteve, rrezikun e ujërave detare, abuzimet në bregdet, prerjen e pyjeve, kultivimin e kanabisit dhe kontrollin e zjarreve.

Nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse dy satelitët shqiptarë janë funksionalë apo nëse janë realisht në orbitë. Ndërkohë, dokumenti që po publikon “Pamfleti” dëshmon se për të njëjtin shërbim fotografimi satelitor të territorit, qeveria shqiptare po paguan një shërbim tjetër privat me miliona euro.

Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 26 janar 2026, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka njoftuar zhvillimin e tenderit me objekt: “Fotografimi ajror dixhital i territorit të Shqipërisë dhe prodhimi i imazheve ajrore”.

Ku janë 2 satelitët e Edi Ramës: Agolli i FSHZH i jep 2.7

Ky tender, me vlerë kontrate 2.7 milionë euro, i është dhënë firmës turke “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.”, me seli në Ankara, e lidhur me rrjetin e bizneseve familjare të dhëndrit të presidentit turk.

Ky fakt krijon indicie serioze se tenderi është sajuar si qokë, me urdhër të Edi Ramës, për t’ia dhënë grupeve të biznesit të afërta me presidentin turk, të cilëve qeveria shqiptare u ka dhënë edhe tenderë për rrugë, tunele, veshje ushtarake, si dhe u ka blerë autoambulanca, dronë dhe armatime.

Në këtë tender morën pjesë edhe tre firma të tjera, të cilat u skualifikuan. Problemi nuk qëndron te kriteret e zbatuara nga drejtori i FSHZH-së, pasi dihet se ai zbaton urdhra politikë, por te vetë fakti i shpenzimit të dyfishtë.

Skandali qëndron në faktin se qeveria po paguan shërbime të njëjta, ndërkohë që për fotografimin satelitor të territorit ka paguar tashmë 6 milionë euro për dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”.

Prej muajit tetor 2023, kur janë paguar, dy satelitët nuk kanë sjellë asnjë pamje të përdorshme për ndërtimet pa leje, rrëshqitjet e tokës, kontrollin e digave dhe urave, rrezikun e përmbytjeve dhe tërmeteve, abuzimet në bregdet, prerjen e pyjeve, kultivimin e kanabisit apo kontrollin e zjarreve.

Për të krijuar bindjen se satelitët janë në orbitë dhe funksionim, një muaj pas lëshimit të tyre, Edi Rama publikoi dy pamje satelitore nga pyjet. Por në praktikë, zjarret shfaqen pasi pyjet janë shkrumbuar, përmbytjet pasi zonat janë fundosur, parcelat e drogës pasi bimët janë rritur, pyjet pasi janë rrafshuar dhe ndërtimet pa leje pasi janë kthyer në pallate, kulla dhe resorte.

Kjo do të thotë se ose satelitët nuk janë funksionalë dhe janë paguar fiktivisht si pjesë e pazareve të ndikimit të Edi Ramës, ose dërgojnë pamje që qeveria nuk i përdor.

Më bindëse mbetet hipoteza se Edi Rama, përmes drejtorit Dritan Agolli, ka sajuar një tender tjetër fiktiv prej 2.7 milionë euro për gjoja fotografimin satelitor të territorit, vetëm për t’ua dhënë miqve të tij turq, ashtu si shumë miliona euro të tjera për investime dhe shërbime të pakryera./Pamfleti