Aktualitet

“Ai pis më ka shkatërruar familjen, s’ua fal abortin e dy fëmijëve të mi”/ Debate në GJKKO, Veliaj kërkon aktet, SPAK: I ka refuzuar, ka ofenduar prokurorin

Me debate është shoqëruar seanca e sotme në GJKKO për dosjen e Erion Veliajt dhe 29 të pandehurve të tjerë, seancë e cila u shty.

Pas njoftimit të shtyrjes së seancës, avokati i Erion Veliajt, ish-deputeti i PS Plarent Ndrecaj, ka deklaruar se klienti i tij nuk është njohur me aktet dhe se kërkon që fashikujt t’i marrë me inventar.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se SPAK ka deklaruar se Veliajt i janë dhënë aktet por ai i ka refuzuar, dhe se tani ndodhen në një dhomë në IEVP Durrës.

Prokurori Ols Dado ka deklaruar se Veliaj e ka ofenduar para oficerit gjyqësor që ka shkuar për t’i dorëzuar aktet, duke thënë ndër të tjera se ai i ka shkatërruar familjes, dhe se “dy abortet e fëmijëve të mi nuk ua fal”.

Në mbyllje të seancës Gjykata deklaroi se vlerëson që është një proces i panevojshëm inventarizimi dhe listimi, kështuqë fashikujt janë aty dhe seanca e radhës në lidhje me këtë çështje do mbahet të mërkurën në datë 1 prill.

Pjesë nga debati në sallë:

Plarent Ndreca: Fakt është që klienti im nuk është njohur me aktet. Janë shumë materiale. E vetmja kërkesë është që ne t’i marrim me inventar. Kërkesa ime është që kam qenë në institucion, prezent, është një proces thelbësor dhe prokuroria ka përgjegjësi qe t’ia vendosë në dispozicion fashikujt me inventar dhe t’i marrim siç duhen marrë. Jo me matje fashikujsh por të llogaritet çdo fletë dhe të jem bashkë me klientin

Gjykata: Fashikujt gjenden në një ambient në burg

Plarec Ndreca: Po dhe nuk janë marrë sepse duhen marrë me ligj dhe me rregulla. Klienti im ka kërkuar që të njihet me aktet, sepse as unë nuk jam njohur, e vetmja kërkesë është që ne t’i marrim me inventar, sepse nuk mund t’i marrim në atë mënyrë. Prokuroria ka detyrim që të bëj një inventar dhe t’i marrë aktet ashtu siç duhet, jo me numra fashikujsh.

Gjykata: Aktet ndodhen ne IEVP Durrës

Plarent Ndreca: Orientoni prokurorin apo OPGJ që të bëjmë një inventar të akteve në praninë time dhe të klientit tim, jo në atë mënyrë siç janë dhënë.

Prokurori Ols Dado: Dua ta nis nga shprehja e avokatit që tha janë dhënë aktet “Opshe” nuk ka një situatë të tillë. OPGJ kanë shkuar në IEVP Durrës, ata kanë kontaktuar me Erion Veliaj, që në momentet e para ka shfaqur sjelle kundërshtuese, me sjellje jo etike. Veliaj ka patur sjellje kundërshtuese dhe fyese gjatë dorëzimit të akteve. Oficeri thotë se ai ka fyer prokurorin Ols Dado atë ditë, duke thënë ‘ky prokuror ndër më të pasurit’. Oficeri më pas ka kontaktuar me drejtues të IEVP Durrës, oficerët kanë filluar t’i sqarojnë Veliajt se përse ndodhen aty, ai ka folur me fjale fyese, ka akuzuar se më keni shkatërruar familjen. I është drejtuar hetuesit duke i thënë ‘ky pis më ka shkatërruar familjen, abortin e dy fëmijëve të mi nuk kam për të ua falur’. Ne mendojmë që Veliaj është vënë në dijeni për fashikujt që në korrik 2025 nga avokatët e megjithatë gjykata ka vendosur që t’ia japë dhe në burg. Tani na del që i pandehuri i kërkon me inventarizim.

Plarent Ndreca: Nuk i thuhet të pandehurit na merri ku i ke, ndaj thashë “Opshe”. Kanë shkuar pa njoftuar të pandehurit, pa njoftuar mbrojtësin e caktuar nga gjykata, dhe kanë shkuar në qeli. Prokurori duhet ta kuptojë që kur një njeri ka një vit në burg, patjetër do ketë emocione se kur përballet me këtë sjellje arrogante do ketë reagimin e tij. Gjykata ka marrë vendim ta njohë me aktet, por nëse njohja me aktet është thjesht t’ia lësh mbi tavolinë, jo ne i duam me inventarizim. Nëse ne duam të njihemi me aktet dhe për një mbrojtje efiçente, kemi të drejtën tonë kushtetuese të mbrohemi dhe qe ta bëjmë këtë, nuk duhet të ndodhë që të mbahen aktet dhe pastaj jepen pa procesverbal. Ne po kërkojmë gjënë më bazike, kërkojmë njohje me aktet në mënyrë efiçente

SPAK: Nuk ka akte “opshe”, mos improvizoni situata që nuk ekzistojnë

Top Channel