Vetëm dy javë pasi uragani Helene shkaktoi kërdi në disa pjesë të shtetit Floridës, “Milton”, që e pasoi shkatërroi qindra shtëpi duke lënë shumë banorë të pastrehë.
I tillë është rasti i Natasha Ducre dhe bashkëshortit të saj, Terry të cilët morën vendimin të largoheshin nga shtëpia e tyre para se “Milton” të godiste.
“Nuk është shumë, por ishte e jona. Ajo pak që kishim është zhdukur”, tha Natasha Ducre për CBS pasi tornadoja mori me vete çatinë e shtëpisë ku bashkëshorti i saj është rritur.
Çifti po qëndron me mamanë e Terry-t, pasi strehimoret janë tejmbushur dhe çmimet e hoteleve janë rritur shumë.
“Nuk kam përgjigje. Nuk e di cila do të jetë lëvizja ime e radhë dhe çfarë do të bëj”, vijoi Natasha Ducre.
Një tjetër e evakuuar nga Tampa, Lillian Bicart, 80 vjeç, thotë se përmbytjet kanë dëmtuar shtëpinë e saj.
“Më duhet të ulem dhe të mendoj se çfarë do të bëj, sepse humba gjithçka, gjithçka është lagur. Kjo është një ëndërr e keqe”, thotë Bicart për CBS Mornings.
Guvernatori i Floridas, Ron De Santis në një konferencë për mediat pak minuta më parë bëri me dije se 2.4 milionë banorë vijojnë të mbeten pa energji elektrike.