Një rrugë e re u projektua në 2017-ën, për të lidhur Skraparin me Përmetin. Nga 49 kilometra që është sot distanca mes dy qyteteve nga rruga ekzistuese nacionale, plani ishte të arrihej në 20.5 kilometra rrugë. Koha e këtij udhëtimi do të shkurtohej ndjeshëm, dhe jo vetëm nga kilometrat.
Projekti do të shmangte kthesat e forta që ka rruga përmes të cilës lidhen aktualisht Skrapari me Përmetin, dhe do të dhuronte një pamje panoramike në një rrugë malore me Osumin poshtë saj.
Por kjo mbeti vetëm një ëndërr, pasi ky aks i ri nacional, kurrë nuk u përfundua.
Në realitet, janë shtruar vetëm 5 kilometra rrugë. Dhe kjo ka ndodhur gati 7 vite më parë.
Rruga u tenderua në 2017-ën, nga ARRSH dhe u fitua nga kompania Salillari. Në 2019-ën, Salillari përfundoi vetëm lotin e parë, 5 km rrugë, me fond 12 mln €.
Dhe gjithçka u mbyll aty, në vitin e largët 2019.
Në fakt, 5 kilometrat e këtij segmenti i përfunduar, që do të ishte pjesë e aksit të ri nacional, Skrapar-Përmet, sot të çojnë deri në fshatin Rog (afër Çorovodës). Nesë mendon se kur merr këtë rrugë do të arrish Përmetin, përpara të del surpriza.
Në fshatin Rog, rruga përfundon, dhe nuk të çon askundi. Ka vetëm mal, dhe asnjë gjurmë rruge të vjetër ekzistuese që të ketë qenë për kalimin e makinave apo dhe të këmbësoreve.
Por pse kjo rrugë e projektuar për të lidhur Skraparin me Përmetin, mbeti rrugëve, dhe nuk u finalizua?
Report Tv pyeti Autoritetin Rrugor Shqiptar. Përgjigjja është se mungojnë fondet.
Në fakt, banorët e zonës, jashtë kamerës, thonë se arsyeja mund të jetë gjetkë.
Ata flasin për shembje të vazhdueshme, pasi rruga gjendet pranë një rezervuari që bën që toka të tejngopjet me ujë.
Edhe kur Report Tv shkoi ta shohë nga afër, ky segment rezulton i dëmtuar.
Këtë segment, e mirëmban e njëjta kompani që e ka ndërtuar, “Salillari”. Siç shihet në rrugën e fundosur, ka dërguar inerte.