Kronikë

Aksidenti në Milot-Mamurras, ndërron jetë shoferi, prindërit kallëzojnë në Prokurori mjekët e Spitalit të Traumës për neglizhencë

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë njëri nga tre të rinjtë që u përfshinë në aksidentin e ndodhur më 19 janar në autostradën Milot – Mamurras, pranë fshatit Gjorm në Kurbin.

Drejtuesi i automjetit tip “Audi”, Albert Togu, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra si pasojë e aksidentit, duke humbur jetën tetë ditë pas ngjarjes.

Dy pasagjerët që udhëtonin me të, Albion Mamli dhe Romario Alija, ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip “Audi” devijoi nga rruga dhe u përplas me barrierat anësore gjatë një tentative për të shmangur përplasjen me një mjet tjetër.

Ky i fundit drejtohej nga një person në gjendje të dehur, i cili është arrestuar nga policia.

Pas ndarjes së tij nga jeta, prindërit kanë kallëzuar në Prokurori mjekët e Spitalit të Traumës, duke i bërë përgjegjës për vdekjen e të birit.

Kujtim Togu, babai i 23-vjeçarit, ka deklaruar për mediat se djali i tij ka ndërruar jetë nga neglizhenca dhe se trupit të pajetë ende nuk i është bërë autopsia.

Sipas tij, mjekësia ligjore nuk mund të kryejë autopsinë pa kartelën e të ndjerit, e cila nuk është lëshuar ende nga Spitali i Traumës.

“Kam bërë një kallëzim në Prokurori se djali im ka ndërruar jetë nga neglizhenca e mjekëve, e kanë nënvlerësuar punën mjekët. Ato thonë që ka pësuar tromboze në zorrën e trashe, kur e bën operim thanë që kishin pankreasin, ishte i ënjtur, i skuqur dhe i ka krijuar shqetësime.

Të ishte ashtu, nuk krijon ndonjë probleme, kishte qenë i qartë, ata nuk e kanë kuptuar dhe ka helmuar organizmin.  E kanë kuptuar kur mori fund çdo gjë. Unë kërkoj që nesër kam shpallur varrimin, kërkoj të marr kufomën, t’i bëhet autopsia. Unë nuk e bëj varrimin dot pa kufomë, këta nuk ma japin.

Nxjerrin arsye pas arsye, ndjerin justifikime. Njëherë duhet kartela, njëherë nuk është kryeinfermieri, nuk e japin kartelën, nuk e di pse Spitali i Traumës nuk e jep kartelën”, përfundoi ai.