Aktualitet

Akuza për korrupsion pasiv, GJKKO dënon me 3 vjet burg ish-zyrtarin e burgjeve

GJKKO ka dënuar me 3 vjet burg shtetasin Arben Tusha akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”. Tusha, ish-zyrtar i burgjeve, do të vuajë 2 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Rasti i Tushes u denoncua në një emision investigativ, ndërsa ai dyshohet se kishte marrë një shumë parash për një dëshmi penaliteti të rreme.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 167 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve Ded Ndoj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Arben Tusha, akuzuar për kryerjen e veprës penale

“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi me vendimin Nr. 75, datë 11.12.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Avdi Tusha, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Arben Avdi Tusha, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht 2 (dy) vite burgim.

3. Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Arben Avdi Tusha në një burg të

sigurisë së zakonshme.

4. Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit Arben Avdi Tusha, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjet.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ded Ndue Ndoj, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

6. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Ded Ndue Ndoj, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht 8 (tetë) muaj burgim.

7. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë për të pandehurin Ded Ndue Ndoj, për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe i pandehuri të mos të kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.

8. Në aplikim të nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale, konkretisht:

i) 6 (gjashtë) DVR me materiale filmike të transmetuara nga emisioni investigative “Stop” të qëndrojnë në dosje; ii) 1 (një) CD me mbishkrimin MEDIA me materiale filmike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të qëndrojë në dosje; iii) 1 (një) vulë në formë drejtkëndore me të dhënat “Sektori i Gjendjes Gjyqësore Arben Tusha” t`i kthehet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi vendimi të marrë formë të prerë; iv) 1 (një) CD me informacionin e dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të qëndrojë në dosje.

9. Shpenzimet gjyqësore dhe ato të hetimeve paraprake i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

10. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.