Sfida mes Elbasanit dhe Partizanit në Kupën e Shqipërisë prodhoi polemika. Verdheblutë kishin akuza për gjykimin, pas penalltisë së akorduar në favor të kryeqytetasve. Rregullorja ndërkohë tregon se vendimi rezulton i drejtë.
Ishte minuta e 88-të, kur Arsen Kasa mbajti Xhuliano Skukën. Dhe pse kapja e fanellës filloi jashtë zonës së mbrojtur nga portieri Janaçek, vazhdoi edhe brenda saj. Për këtë u akordua penallti.
“Referee Channel” është një faqe e njohur në rrjetet sociale dhe që numëron rreth 160 mijë ndjekës në “Instagram”. E menaxhuar nga një gjyqtar, shpjegon rastin duke treguar pse vendimi për penallti është i saktë.
“Nëse një mbrojtës fillon ta mbajë një sulmues jashtë zonës së penalltisë dhe vazhdon ta mbajë edhe në zonën e penalltisë, gjyqtari duhet të akordojë penallti”, siç edhe tregohet në rregullore.
Skuka e mori përsipër penalltinë e fituar vetë dhe e dërgoi topin në rrjetë. Kështu Partizani fitoi 0 me 1 në “Elbasan Arena”, ndërsa skuadra gjysmëfinaliste do të mësohet në Tiranë.
Shpjegimi i rastit: (VIDEO)
