Kronikë

Alarm në Onkologjik: Pas ilaçit për tumorin e gjirit, mungon edhe medikamenti për kancerin e prostatës!

Një tjetër denoncim shqetësues ka mbërritur sot në redaksinë e JOQ Albania, që tregon qartë kolapsin e sistemit shëndetësor publik. Pas rastit ku raportuam mungesën e medikamentit jetësor Phezgo për pacientet me tumor gjiri, një qytetare ka ngritur alarmin për mungesën e një tjetër ilaçi thelbësor në Spitalin Onkologjik.

Bëhet fjalë për Abirateron, medikament që përdoret për trajtimin e kancerit të prostatës, i cili sipas denoncimit mungon prej më shumë se dy javësh.

“Jo vetëm për kancerin e gjirit, por edhe medikamenti Abirateron për kancerin e prostatës mungon prej më shumë se dy javësh dhe pacientët janë pa mjekim. Ministrja hesht dhe askush nuk mban përgjegjësi. Jam vajza e një pacienti që trajtohet me këtë medikament, i cili nuk gjendet në asnjë farmaci tjetër, as private, vetëm në QSUT. Kjo është java e dytë që mungon. Shkojmë çdo ditë dhe na thonë ‘jo sot, jo nesër’, por askush nuk jep një përgjigje se kur do të vijë.”

Në më pak se 24 orë, ky është rasti i dytë i rëndë që JOQ Albania publikon për mungesë të medikamenteve jetike në QSUT. Më herët gjatë ditës, pacientet me tumor gjiri denoncuan mungesën e ilaçit Phezgo, që duhet të merret në ditën fikse çdo tre javë, dhe vonesa e tij mund të sjellë pasoja vdekjeprurëse.

Tashmë, e njëjta situatë dramatike po ndodh edhe me pacientët meshkuj që vuajnë nga kanceri i prostatës. Jetë njerëzish janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa institucionet heshtin.

Dy ilaçe jetike mungojnë, dhimbja është e njëjtë, por përgjegjës nuk ka.