Një ngjarje shqetësuese ka tronditur qytetarët e Tiranës ditën e sotme, ku një qen i racës pitbull ka sulmuar disa persona dhe kafshë në zona të ndryshme të qytetit. Sipas raportimeve, sulmet kanë ndodhur që prej mëngjesit, duke përfshirë Don Boskon, Urën e Tabakëve dhe zonën e qendrës.
Një qytetare ka treguar se është sulmuar nga qeni në fjalë, por ka arritur t’i shpëtojë duke e goditur dhe duke përdorur një zinxhir. Ndërkohë, një grua tjetër, e cila ka përjetuar një sulm të ngjashëm, ndodhet ende pranë spitalit ushtarak. Për fat të keq, pitbulli ka arritur të vrasë një qen të vogël te Ura e Tabakëve.
Qytetarët dyshojnë se qeni ka një pronar, i cili e ka rritur në mënyrë agresive dhe më pas e ka lënë të lirë, duke e ditur rrezikun që paraqet. Pavarësisht raporteve të shumta për sulmet, deri më tani nuk ka asnjë reagim nga autoritetet policore apo bashkiake, të cilat ende nuk kanë identifikuar pronarin e qenit.
Banorët e Tiranës kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet dhe apelojnë për sensibilizimin e qytetarëve për t’u mbrojtur nga situata, pasi pitbulli mund të sulmojë sërish, madje duke rrezikuar edhe jetën e fëmijëve.
Kujdes: Qytetarët që ndodhen në zonat e përmendura këshillohen të jenë vigjilentë dhe të lajmërojnë autoritetet në rast se vërejnë këtë qen të rrezikshëm.