Aktualitet

Alarmi i Raportit të Brukselit: Shqipëria vendi më i brishtë energjetik në Europë, ka vetëm 15 ditë rezerva nafte

Një raport europian mbi kapacitetet energjetike të vendeve të kontinentit e rendit Shqipërinë ndër shtetet me rezervat më të ulëta të naftës, vetëm rreth 15 ditë, ndërkohë që mesatarja europiane është rreth 120 ditë. Situata ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë energjetike të vendit në rast krizash ndërkombëtare ose konflikti. NATO i ka kërkuar qeverisë shqiptare ngritjen e një shtabi krize dhe krijimin e depozitave emergjente strategjike, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se në një situatë bllokade Shqipëria mund të mbetet e varur nga furnizimi i jashtëm.

Shqipëria sot është një nga vendet më të brishta jo vetëm në Europë, por edhe në rajon. Pasi ne jemi i vetmi shtet ku qeveria nuk ka menduar për nesër. Një dokument europian thekson se Shqipëria është shteti më problematik në kontinent në përballjen me konfliktin në Iran.

Këtë e thotë një organizëm prestigjioz i Brukselit, i cili mat kapacitetet energjetike të vendeve europiane. Shqipëria është vendi me rezervën më të brishtë europiane të naftës, me vetëm 15 ditë, ndërkohë që rezerva energjetike mesatare europiane është 120 ditë. Italia, që është një nga shtetet më problematike në rezervën strategjike, e ka 80 ditë.

Sipas raportit europian, kjo nuk është çështje ekonomike apo problem i operatorëve privatë të tregtimit të hidrokarbureve, por e papërgjegjshmërisë së një shteti që nuk mendon për rezervat e tij në raste problematike.

Ku lufta është kulmi. Shqipëria në kohën e regjimit të Enver Hoxhës ka pasur rezerva energjetike në vende të fshehta dhe malore, pikërisht për t’i ruajtur për një ditë të keqe. Madje është vlerësuar që Shqipëria e Hoxhës, me organizimin e saj spartan, mund të mbijetonte edhe dy vjet në luftë me depozitat energjetike.

Sot Shqipëria ka më pak se 15 ditë rezervë dhe çdo mëngjes në tabelat e shitjes së naftës dhe nënprodukteve të saj çmimi rritet me 20 cent.

Kjo përbën një problem të madh, jo thjesht në logjikën e spekulimit, por në faktin që qeveria nuk ka një plan se si do të menaxhojë vendin në një bllokadë apo në një krizë të çmimeve të naftës.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë rezerva që mund ta shtyjnë të paktën dy muaj në rast bllokade, ndërkohë që Greqia dhe Kroacia shkojnë edhe më tej.

Para një jave NATO i ka kërkuar Shqipërisë që të formojë një shtab krize për të krijuar një depozitë emergjente energjetike, e cila ka nisur të mblidhet me hapa burokratikë. Kanë qenë gjeneralë të Aleancës që kanë kritikuar fort qeveritarët dhe ushtarakët shqiptarë për faktin se si mund ta linin vendin në një situatë të tillë, ku jo vetëm infrastruktura ushtarake, por edhe furnizimi me energji mund të bëhet një emergjencë e rëndë.

Në fundjavë në Tiranë pritet të vijë një delegacion i gjerë i Komandës Supreme të NATO-s, i cili pritet të japë udhëzime të hollësishme për atë që në Perëndim është protokoll standard: depozitat strategjike energjetike.

Megjithatë kjo çështje nuk është thjesht injorancë e specialistëve të sigurisë kombëtare. Shqipëria në kohën e komunizmit, edhe pse e mbyllur dhe e prapambetur, ka pasur rezerva energjetike afatgjata. Një gjeneral amerikan i logjistikës që e ka monitoruar këtë sistem në fillim të viteve ’90 e ka quajtur atë një organizim të mrekullueshëm, i cili mund ta mbante vendin në luftë deri në pesë vjet.

Në një situatë krize energjetike Shqipëria do të varej pothuajse totalisht nga Greqia, e cila është vendi me flotën më të fuqishme tregtare në botë dhe me rezerva të konsiderueshme energjetike. Ndërkohë Italia ka deficit në këtë drejtim.

Në këtë logjikë, në një kohë lufte apo krize, ne do të vareshim nga mëshira e Athinës, diçka që është provuar edhe në vitet ’90, kur tankerët grekë furnizonin rezervat energjetike në Durrës.

Pyetja që shtrohet është nëse kjo situatë mund të krijojë përsëri një varësi energjetike nga Greqia, siç ndodh aktualisht në Maqedoninë e Veriut./Pamfleti