Ambasadori i BE takon kreun e SPAK, Klodian Braho: Lufta kundër korrupsionit element kyç për përparimin drejt BE
Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato ka zhvilluar një takim me kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme Klodian Braho.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të zyrës së BE në vendin tonë, bëhet me dije se në takim, ambasadori i BE theksoi “rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
“Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale, janë vendimtare për konsolidimin e progresit dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e publikuar nga BE në vendin tonë.