Opinion

Analiza/ Artur Zheji: Parashqevi Simaku: Kësulkuqja e shqiptarëve! Pse u bë virale fabula e Shkëlqimit dhe Skëterrës shqiptare

Nga Artur Zheji/

Vëmendja tronditëse për Parashqevinë, është në thelb një tronditje e personalitetit të vetë shqiptarëve.

Shumica e mërgimtarëve të larguar përdhunshëm nga Vendi i Shqiponjave të plagosura, shohin te këngëtarja e pafat dy kohë të shkrira në një të vetme: Shkëlqimin dhe Skëterrën.

Mërgimtarët shqiptarë, janë në të vërtetë shumica e popullit tonë, kudo që flitet shqip, në çdo cep të trojeve tona të lashta dhe moderne. Dhe kjo shumicë, shumë milionëshe ka qenë si ato farat e luleve të bukura të malit, që stuhia i rrëmbeu, i pështjelloi në mijëra shtjella dhe i degdisi në të katër anët e horizontit.

I degdisi dhe i përplasi, i shtypi dhe i dhunoi, i turpëroi apo i depersonalizoi, i shkeli apo ju zhduku emrat dhe origjininën e fisit nga vinin…

Por nuk i shfarosi dot!
Ata, milionat e shqipeve të plagosura, ndërtuan foletë e tyre në shkretëtirat e vendeve të huaja, grimcë pas grimce.
Shpesh me kokën ulur e të nënshtruar, por me një “Arnaut inat” siç e thërrasin turqit inatin e tërbuar të shqiptarëve, me një Arnaut inat pra, të fshehur e të mbrojtur, thellë në placën e tyre, si një farë të pacënuar.
Një farë e pacënuar gati të mbijë, kur kushtet e stuhisë që i rrëmbeu të qetësohen dhe kur shkretëtira të çelë gjethe e sythe për ta e familjet e tyre.

Dhe sot që flasim, të degdisurit e dikurshëm të para 30 viteve, në të shumtën e tyre mbijetuan e hodhën rrënjë.
Dhe i rrëfyen botës frutin rrezatues të geneve shqiptare, duke kapur shumë maja të habitshme dhe lartësi të pabesueshme në xhunglën e egër të Planetit dhe në çdo cep të tij.

Dhe kështu pas 30 vitesh batërdie dhe kryeneçësie të shqiptarëve të arratisur nga jeta e tyre e dikurshme, për të rritur ëndra dhe fëmijë në Dhé të huaj, si në një pasqyrë e thyer, panë shumë pranë dy kohë krejt të kundërta!
Dy kohë të kundërta, të mbërthyra në një person të vetëm: Parashqevi Simaku.

Një këngëtare rrezatuese e skenave të pambrritshme dhe një të pastrehë të harruar nga vetja dhe të harruar nga bota.
Dhe sedra e “Arnaut damarit” u tërbua, duke uluritur “Drejtësi!” për Parashqevinë, që domethënë drejtësi për veten në të njejtën kohë!

Dhe kështu harresa u shëndrrua në kujtesë dhe Parashqevia u bë “virale” sa hap e mbyll sytë, sepse shqiptarët zbuluan Kësulkuqen e tyre, pak përpara se ta hante “ujku” në metrotë e Nju Yorkut.
Dhe e shpëtuan Kësulkuqen e tyre, tashmë kombëtare, duke shpresuar se kanë shpëtuar edhe veten e tyre nga nja Fat i tillë.
Iluzion sigurisht!

Por një iluzion që fal një dehje të ëmbël dhe aspak të dëmshme, në një botë shqiptarë të pushtuar nga politika dhe Mbretëresha Gënjeshtër, në të vërtetë Mbretëresha jonë e vërtetë në këto kohë moderne…

Pjesa tjetër që lidhet me fatin e Parashqevisë, ka shumë spekullim dhe llum, biznes dhe shëmti, sepse të vërteta të tjera na presin në lidhje me këtë përrallë që na vjen nga stacionet e trenave Njujorkezë…

Por nuk dua sot të merrem me këtë llum, por me pasionin e parrëfyer të shqiptarëve për gjëra të bukura dhe përralla me fund të lumtur!

Na bekoftë Zoti për bukurinë fëminore që shqiptarët ruajnë ende në zemrat e tyre të ngrohta!…