Aktualitet

Anjeza Shiko, drejtoresha e “Brunës”, u përgjigjet punonjësve në Facebook pasi protestuan për antidotën dhe nuk i priti në zyrë

Punonjësit e sektorit të pastrimit në Vlorë kanë dalë sot në protestë, duke pezulluar punën si shenjë revolte ndaj kushteve të rënda dhe mosdhënies së antidotës. Kjo ndihmë mujore ekonomike, e cila më parë ishte 7 mijë lekë të reja, është ulur në 4 mijë lekë, por sipas punonjësve, as kjo shumë e reduktuar nuk po u jepet prej muajsh.

Protesta u zhvillua pranë ndërmarrjes së pastrimit dhe gjelbërimit, ku punonjësit kërkuan zgjidhje të menjëhershme për problemet e tyre. Ata u shprehën të indinjuar me drejtuesit aktualë të ndërmarrjes, të cilët, sipas tyre, nuk i dëgjojnë dhe nuk u japin asnjë përgjigje konkrete shqetësimeve që kanë. Përveç antidotës, punonjësit kërkojnë edhe kushte më të mira pune, duke theksuar se çdo ditë rrezikojnë shëndetin dhe jetën e tyre.

Punonjësit paralajmëruan se nëse shuma prej 4 mijë lekësh nuk hidhet, protesta do të vijojë dhe do të përshkallëzohet.

Por ajo që i ka revoltuar edhe më shumë, është fakti se askush nuk u hapi derën për t’i pritur dhe për t’i sqaruar lidhur me kërkesat e tyre. Drejtoresha e ndërmarrjes Anjeza Shiko, nuk i priti punonjësit në zyrë, duke zgjedhur heshtjen përballë protestës.

Vetëm disa orë më vonë, ndërmarrja e pastrimit dhe gjelbërimit në Vlorë, e drejtuar nga Anjeza Shiko, ka vendosur t’u “sqarojë” punonjësve situatën përmes një postimi në Facebook. Një veprim që ka ngjallur reagime të forta, pasi shumica e këtyre punonjësve nuk kanë as telefona modern dhe as akses në rrjete sociale.

E pra, ndoshta për drejtoreshën këta janë thjesht “punëtorë”, por për qytetarët e Vlorës ata janë fryma e qytetit, njerëzit që mbajnë pastër çdo rrugë dhe lagje, shpesh në kushte të vështira dhe pa asnjë vlerësim.

Kur dera e zyrës mbetet e mbyllur dhe përgjigjja vjen nga Facebook-u, problemi nuk është më vetëm antidota, por mënyra se si trajtohen njerëzit që mbajnë qytetin të pastër.