Politikë

Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën! Konfirmon masën ‘detyrim paraqitje’ për Monika Kryemadhin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar konfirmon masat e sigurisë për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Apeli i GJKKO bën me dije se konfirmon masën ‘detyrim paraqitje’ për Monika Kryemadhin dhe masën ‘arrest në burg’ për Ilir Metën.

“Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe M.K”, thuhet ne njoftimin e Apelit të GJKKO.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim Ilir Metaj. dhe Monika Kryemadhi, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi.

MBROJTJA E ILIR METES NE GJKKO

Gjate seances se sotme ne Apelin e GJKKO, ish Presidenti i Republikes, Ilir Meta ka deklaruar para togave të zeza se akuzat për mosdeklarim pasurie i konsideron tendecioze, pasi sipas tij, me plotësimin e formularëve të pasurisë është marrë ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi.

Meta eshte shprehur se shumica e pronave dhe llogarive bankare janë të Monika Kryemadhit, duke shtuar se “Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit”.

Ish-Presidenti i vendit deklaroi para gjyqtareve se nuk mban përgjegjësi për shpenzimet e familjarëve, përfshirë ish-bashkëshorten dhe ish-vjehrrën e tij.

“Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze. Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.

Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime , e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo. Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.

Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI. Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.

Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen”, u shpreh Ilir Meta.