Në pamje të parë, Apolonia dhe Kastrioti konsideroheshin si dy klubet e vetme të Kategoria e Parë që e mbyllën janarin pa asnjë afrim. Për krutanët, kjo situatë ishte e pritshme, pasi merkatoja e klubit vijon të jetë e bllokuar nga FIFA, për shkak të dy çështjeve që lidhen me detyrime të pashlyera financiare. Ndryshe paraqitej tabloja në Fier.
Apolonia kishte zgjedhur të mos ndërhynte në janar, duke u justifikuar me promovimin e elementit të ri dhe të perspektivës, kryesisht produkteve të akademisë fierake. Një filozofi që klubi e ka theksuar shpesh, duke u mbështetur te futbollistët e rinj dhe zhvillimi afatgjatë. Megjithatë, ndonëse janari u mbyll pa zyrtarizime, Apolonia nuk ka mbetur plotësisht jashtë lëvizjeve të merkatos dimërore. Në javën e dytë të shkurtit, fierakët kanë regjistruar dy futbollistë adoleshentë që vijnë nga jashtë vendit. Bëhet fjalë për Andrju Uarnes, sulmues 18-vjeçar (datëlindja 4 dhjetor 2007), me pasaportë norvegjeze.
Ai vjen nga skuadra Orn Horten II në Norvegji dhe konsiderohet një profil ofensiv me potencial zhvillimi. Aron Okpolokpo, mbrojtës i majtë 19-vjeçar (datëlindja 11 mars 2006), me pasaportë irlandeze dhe angleze. Ai transferohet nga skuadra e dytë e klubit finlandez SJK. Dy afrime që nuk përbëjnë përforcime të menjëhershme për formacionin titullar, por që sinjalizojnë vazhdimësinë e strategjisë së klubit për të investuar te moshat e reja. Mbetet për t’u parë se ku do të përdoren fillimisht dy futbollistët e rinj: tek Apolonia U-19; Apolonia B në Kategorinë e Tretë, apo do të integrohen gradualisht me skuadrën e parë që garon në Kategorinë e Parë.
“Ethet e mbijetesës”
Apolonia e ka mbyllur fazën e dytë në një pozicion jo komod në renditje, vendi i nëntë me 24 pikë. “Ethet e mbijetesës” janë prezente dhe presioni për reagim është i lartë. Në 11 javët e fazës së tretë, që nisin këtë fundjavë, fierakët do të duhet të tregojnë karakter dhe vazhdimësi. Sfida e parë nuk është aspak e lehtë. Luajnë në transfertë ndaj Kastriotit, një duel direkt që mund të peshojë shumë në garën për mbijetesë. Nëse në Krujë merkatoja ishte e detyruar të qëndronte e ngrirë, në Fier lëvizjet erdhën në heshtje. Tani fjala kalon te fusha, aty ku pikët vlejnë më shumë se çdo justifikim merkatoje.