Aktualitet

Arjan Gjonça: Në Angli prita një vit për kardiologun, në Shqipëri e zgjidh për dy ditë!

Në një intervistë në Dritare TV për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, profesor Arjan Gjonça pedagog në London School of Economics (LSE) dhe ekspert i njohur i demografisë ka bërë një krahasim mes sistemit shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar dhe realitetit shqiptar, duke vënë në dukje dallimet mes strukturës formale perëndimore dhe fleksibilitetit në Shqipëri.

Gjonça ndau përvojën e tij në Londër, ku për një problem kardiak urgjent iu caktua një takim me specialistin pas një vit pritjeje.

“Imagjinojeni nëse do të ishte diçka serioze; kjo vonesë mund të ishte fatale,” u shpreh ai, duke nënvizuar sfidat e mbingarkesës dhe procedurave strikte në sistemin britanik.

Në kontrast, ai përmendi realitetin shqiptar, ku theksoi se ka akses më të shpejtë tek mjekët specialistë.

“Në Shqipëri, ti mund të shkosh menjëherë te specialisti. Nuk ke nevojë të presësh me muaj për të takuar një specialist, siç ndodh këtu në Londër” tha profesori.

Megjithatë, Gjonça theksoi se kjo qasje nuk vlerësohet sa duhet nga qytetarët. Ai kritikoi mungesën e mirënjohjes ndaj mjekëve në Shqipëri, duke e cilësuar si çështje kulture dhe edukate. “Më vjen keq kur shoh njerëz në spitalet tona që nuk thonë as faleminderit, me idenë se mjeku e ka për detyrë,” tha profesor Gjonça./L.F-dritare.net