Presidenti dekreton dhënien e shtetësisë për arkitekti italian të përfshirë në zhvillime urbane në Tiranë, Durrës dhe Vlorë…
Në Fletoren Zyrtare të 25 shkurtit 2026 u publikua dekreti presidencial për dhënien e shtetësisë shqiptare arkitektit italian Marco Roberto Casamonti. I njohur për përfshirjen në projekte të mëdha ndërtimi në Shqipëri, Casamonti ka bashkëpunuar me studio vendase në zhvillime urbane në disa qytete kryesore. Dekreti nuk shoqërohet me shpjegime publike mbi arsyet e dhënies së shtetësisë, ndërsa emri i tij është përmendur edhe në raportime mediatike në Itali lidhur me çështje të mëparshme ndërtimi.
Në Fletoren Zyrtare të datës 25 shkurt 2026 janë publikuar disa dekrete presidenciale për dhënien e shtetësisë shqiptare disa shtetasve të huaj, mes tyre edhe shtetasit italian Marco Roberto Casamonti.
Ky është një emër i njohur në Shqipëri pas vitit 2016, për lidhjet e tij me projekte arkitekturore dhe zhvillime urbane në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Në Dekretin nr. 88, datë 20 shkurt 2026, thuhet: “Në zbatim të nenit 92, shkronja ‘c’ dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të neneve 9 dhe 20 të ligjit nr. 113/2020 ‘Për shtetësinë’, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, i jepet shtetësia shqiptare Marco Roberto Casamontit.”

Dekreti nuk jep shpjegime mbi arsyet e dhënies së shtetësisë shqiptare arkitektit italian. Nga zyra e Shtypit të Presidencës sqarojnë se “shtetësitë në raste të tilla jepen pas vlerësimit të ministrive përkatëse”.
Marco Casamonti ka qenë i përfshirë në projekte të shumta ndërtimi në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me studio dhe kompani vendase, përfshirë “Atelier 4”.
Emri i tij është përmendur në media si arkitekt i preferuar në disa projekte të rëndësishme urbane.
Në Itali, media si “La Repubblica” kanë raportuar më herët për çështje ligjore që kanë përfshirë emrin e Marco Casamontit në lidhje me projekte ndërtimi në Firenze. Ai rezulton i dënuar për korrupsion në vendin e tij.
Dhënia e shtetësisë shqiptare një arkitekti të huaj me aktivitet të gjerë në projekte publike dhe private në vend ka ngjallur interes publik, ndërsa arsyet zyrtare për këtë vendim nuk janë bërë të ditura./Pamfleti