Aktualitet

Armando Duka hakmerret ndaj gazetarëve që mbështetën protestën e TKZ për biletat, si u lanë jashtë gazetarët medias së njohur

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka nisur të penalizojë mediat që mbështetën tifozët kuqezi në protestat kundër institucionit për menaxhimin e biletave të ndeshjeve të Kombëtares. Pavarësisht se këto media kanë mbuluar rregullisht aktivitetet sportive, FSHF po i përjashton nga akreditimet, duke u justifikuar me “kërkesën e madhe” për vendet në stadium. Ky veprim shihet si një formë hakmarrjeje e drejtpërdrejtë e presidentit Armando Duka ndaj atyre që guxuan të kritikojnë politikën e federatës.

Një nga shembujt më konkretë të kësaj qasjeje është portali Maska.al, të cilit iu refuzua akreditimi për ndeshjen Shqipëri-Andorra, e zhvilluar më 24 mars në “Arenën Kombëtare”. Ky portal ka mbështetur tifozët në denoncimet e tyre për biletat e mungura dhe tani është përballur me përjashtimin nga raportimi i drejtpërdrejtë.

Në përgjigjen zyrtare, FSHF pretendoi se akreditimi nuk u dha për shkak të kërkesave të shumta dhe se prioritet kishin mediat që mbulojnë rregullisht Kombëtaren. Megjithatë, faktet tregojnë të kundërtën: një nga sektorët e tribunës së tretë, i dedikuar gazetarëve, ishte bosh gjatë ndeshjes.

Vendimi për të refuzuar akreditimin e një mediaje si Maska.al, e cila është pranuar nga UEFA për ndeshjet e Europianit 2024 në Gjermani, por nuk “plotëson kriteret” e FSHF-së për një takim ndaj Andorrës, ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe paanshmërinë e federatës.

Ky veprim konfirmon akuzat për selektim të qëllimshëm të mediave, duke favorizuar ato që shmangin kritikat dhe duke ndëshkuar zërat e pavarur në raportimin sportiv.

Korrieri i bashkohet kauzës së TKZ dhe solidarizohet me mediat e ndëshkuara në formë hakmarrjeje nga Armando Duka.