Aktualitet

Arrestimi i shqiptarëve në Serbi, reagon Ministria e Punëve të Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha se po ndjek me vëmendje të plotë rastin e ndalimit të katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet serbe për shkak se mbanin simbole shqiptare në makinë.

MEPJ tha se Republika e Shqipërisë pret që çdo veprim i autoriteteve serbe të zhvillohet në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës, duke respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale për çdo qytetar.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd po ndjek me vëmendje të plotë rastin e ndalimit të katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet serbe.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, Ambasada u është drejtuar zyrtarisht institucioneve përkatëse në Serbi dhe ka kërkuar informacion të plotë mbi rrethanat e ndalimit, si dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare.

Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente, po ofron të gjithë asistencën e nevojshme konsullore, duke përfshirë edhe kontaktet me familjarët e të ndaluarve dhe mundësimin e kontakteve të tyre me avokatë.

Republika e Shqipërisë pret që çdo veprim i autoriteteve serbe të zhvillohet në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës, duke respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale për çdo qytetar.

Situata po ndiqet nga afër dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të trajtohet me seriozitetin maksimal”, thuhet në reagimin e MEPJ.