Aktualitet

Artan Hoxha: Edhe ne kemi skandale si ato të Epstein, videot i ka SPAK

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka deklaruar se në Shqipëri ekzistojnë skandale të rënda komprometuese, të ngjashme me atë që po diskutohet prej kohësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pretenduar se materiale filmike (videot) dhe fotografike shantazhuese janë sekuestruar dhe ndodhen në duart e Prokurorisë së Posaçme. Fjala e tij ishte për filmimet e Ergys Agasit.

I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Hoxha u shpreh se këto materiale nuk lejohen të bëhen publike dhe “mbahen të mbyllura në kasafortë”, pasi sipas tij, publikimi do të trondiste ekuilibrat politikë dhe do të hapte një krizë me pasoja edhe për sigurinë kombëtare.

Në deklaratën e tij, Hoxha e tha hapur se Shqipëria nuk është përjashtim nga skemat e shantazhit me videot dhe se, sipas tij, një pjesë e elitës politike dhe shtetërore është mbajtur nën presion pikërisht përmes materialeve komprometuese.

A kemi ne skandale të ngjashme me atë që po ndodh në Amerikë? Po. Dhe janë aty, i kanë në dorë dhe për fat të mirë i kanë në dorë prokuroria. Prokuroria jonë speciale i ka.

Dhe ne i kemi këtu personazhe që kanë bërë të njëjtën gjë, që kanë kuruar veset e politikanëve dhe pushtetarëve tanë, që kanë bërë filmime kompromentuese, shantazhuese. Pra, i kanë, i kanë fotografuar, i kanë filmuar që t’i kenë, që t’i mbajnë peng. Që t’i shantazhojnë, që t’i kenë nën kontroll.

Madje e kanë bërë si kusht, në qoftë se ti do të bësh karrierë dhe të ngjitesh në hierarki shtetërore, duhet të bësh kompromise të tilla. Dhe ne tashmë këtë është një gjë që e dimë dhe për flasim në tavolina. Por provën nuk e kemi”, tha ai.

Gazetari vijoi më tej duke pretenduar se në Shqipëri kanë vepruar persona që “kanë kuruar veset” e politikanëve, pushtetarëve dhe zyrtarëve, duke i joshur, fotografuar dhe filmuar, jo për thashetheme, por për t’i pasur si instrument shantazhi.