Avokati i njohur, Altin Goxhaj deklaroi se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha së shpejti do të ketë probleme me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), lidhur me dosjen e “21 janarit”, duke paralajmëruar kështu arrestimin e ish-kryeministrit. Po ashtu, z. Goxhaj paralajmëroi se PD do të pësojë vetëm rënie. “Shumë shpejt Berisha do ketë probleme me SPAK, lidhur me 21 janarin dhe kjo nuk është rastësi. Berisha ka lëvizur shpejt sepse Salianji është futur si pykë po për këtë gjë.
Ajo që është e dhimbshme, por unë do ta them është që gjithë klasa politike aktuale është e gjitha e Soros. Flas si lidership. Edhe Salianji është Soros. Këtu ka ardhur një administratë amerikane trumpiste që po ndikon në të gjithë botën nëpërmjet agjendës anti-soros. Kjo ka qenë arsyeja që ti do shohësh jo vetëm Salianjin por edhe të tjerë që do fillojnë luftë të brendshme. Berisha nuk ka pasur ndonjë plan këto dy vjet. Nuk ka për të parë më PD ndonjë ngritje, vetëm rënie. Këtë javë Berisha dha një mesazh shumë të rëndësishëm. Tha çdokush që është në këtë parti do marrë lejë te fondacioni Soros për të dalë në TV dhe tha do shkoni te zyra e shtypit të Alfred Leles. Lela është pjesë e fondacionit Soros”, deklaroi ai.
Goxhaj: Tiku i Soros, skenar me Ramën
Ndërkohë avokati Altin Goxhaj deklaroi se viti 2025 ishte viti i konfirmimit të dështimit të klasës politike shqiptare, duke theksuar se ndryshimet globale do të reflektohen edhe në Shqipëri dhe se zgjidhja, sipas tij, nuk vjen nga jashtë, por nga vetë shqiptarët. Ai theksoi se në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm (2026), shqiptarët duhet të bëjnë “luftë” me klasën politike për të përcaktuar fatin e tyre. “Në botë ka filluar një ndryshim i madh, po rishkruhen rregullat e lojës në të gjithë planetin dhe ky cunam do jepte dallgët e veta edhe në Shqipëri. Viti 2025 është viti i konfirmimit të të gjitha tezave që kemi hedhur në këtë studio mbi dështimin total të kësaj klase politike dhe përparimin e një agjende antishqiptare të shpopullimit të Shqipërisë.
Këtë herë të gjithë u bindën që kjo kishte ndodhur. Ne tani jemi përballë një sfide. Nuk është dritë në fund të tunelit, është dritë brenda vetes. Tuneli është aty i errët, varet vetëm nga ne që ta ndriçojmë. Shqiptarët kujtojnë se do t’ua sjellë Amerika gati zgjidhjen. Amerika nuk mund të sjellë asnjë zgjidhje kur këtu nuk ka potencial. Shqiptarët duhet të kuptojnë që Soros ka mbaruar punë me këtë vend, i ka krijuar të gjithë mekanizmat dhe tani ne duhet të përballemi me të.
Ka parkuar te Kryeministria Adriatik Lapaj, unë i them Tiku i Sorosit, për llogari të Edi Ramës për të kontrolluar çdo parkim proteste. Shqiptarët duhet të shohin brenda vetes dhe të kuptojnë që ky është një moment historik, është stacioni i fundit. Duhet të bëjnë betejë, luftë, përballë kësaj klase politike sepse në këto 3 muajt e tjerë të vitit do të përcaktohet fati ynë nga ne dhe jo nga Amerika. Amerika e bëri të vetën, tani varet nga ne”, u shpreh ai.
Avokati: Agasi, një agjent i shërbimeve sekrete turke
Nga ana tjetër, avokati Altin Goxhaj u ndal edhe tek skandali i “AKSHI-t”. Sipas tij, një dosje e ardhur nga jashtë, nga Turqia dhe SHBA-ja, përmban video dhe dokumente që lidhen me aktivitetet e Ergys Agasit. Goxhaj deklaroi se Agasi në të vërtetë është agjent i shërbimeve sekrete turke dhe roli parësor i Agasit, sipas Goxhajt, është të dokumentojë korrupsionin në vend. “Historia e Agasit nuk është historia që na tregojnë mediat, as e Belinda Ballukut. Këtu kemi të bëjmë me një dosje që ka ardhur nga jashtë brenda, si historia e Gruevskit, për të shembur të gjithë klasën politike. Kjo dosje ka ardhur nga Turqia dhe Amerika. Turqia i ka dhënë Amerikës një dosje, që janë videot e Agasit që bënte.
Ai është një agjent i shërbimeve sekrete turke. Është futur në Shqipëri pikërisht në marrëveshje me Turqinë dhe roli i tij për të kontrolluar mafien dhe drogën është një rol dytrësor, përballë rolit kryesor për të dokumentuar me video të gjithë skemën e korrupsionit siç bëhet me çdo shërbim në botë. Shqipëria duke bërë ca gafa të jashtëzakonshme në 2025 për shkak të dështimit të Edi Ramës në Frankfurt dhe në Uashington për të gjetur një hapësirë me Donald Trump, u detyrua të shkonte në Tel Aviv që të kërkonte në Tel Aviv si vendi i sionizmit që ka përballë presidentit sionist amerikan Donald Trump. Izraeli ka hallet e veta me Turqinë dhe hallet e veta me Turqinë u reflektuan para një muaji me një aleancë të re ushtarake mesdhetare që është Greqi- Qipro-Izrael. Rama po përfundon si Ali Pashë Tepelena.
Ali Pashë Tepelena ishte në një gjendje si Edi Rama sot. Pastaj u fut në konflikt dhe iu pre koka, iu pre nga brenda, nga të vetët”, nënvizoi avokati i njohur, Altin Goxhaj, teksa ishte i ftuar në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus. Kujtojmë se biznesmeni Ergys Agasi është shpallur në kërkim, pasi SPAK e akuzon se ka marrë peng një tjetër sipërmarrës për t’i bërë presion që të tërhiqej nga ankimimet ndaj tenderëve të lidhura me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).