Sport

Axhiç i destinuar për të torturuar Interin, malazezi lindi në ditën kur shpërtheu… Calciopoli

Vasilje Axhiç që nga dita e djeshme është një idhull i ri te Juventusi, por edhe një makth më shumë për Interin. Mesfushori i talentuar malazez, ishte ai i cili me golin e tij nga distanca në shtesë i dha suksesin 4-3 bardhezinjve. Dhe në fakt, duket se ishte i destinuar për ta bërë një gjë të tillë.

19 vite e 124 ditë më parë, vogëlushi Vasilje do të vinte në jetë në Nikshiq të Malit të Zi. Dhe ajo do të ishte një ditë që tifozët e Juventusit dhe të Interit do ta kujtojnë gjatë. Ishte 12 maji i vitit 2006, dita kur në Itali shpërtheu publikisht skandali i Calciopoli.

Atë ditë, prokuroria e Napolit bëri të ditur se kishte nisur hetimin për 41 persona, mes të cilëve drejtues klubesh, gjyqtarë e përgjegjës të tyre, gazetarë dhe agjentë të Digos. Ajo ishte dita kur nisi shpërbërja e Juventusit të famshëm të “Triadës” dhe rikthimit të Interit që fitoi titullin kampion duke dalë i treti dhe për vite me radhë nuk pat konkurrentë në Serinë A.

Ndaj duket se fati ka lidhur Axhiç me Juventusin dhe me Interin, me të djathtën e tij që i dha golin e parë në Serinë A pikërisht në “Derbin e Italisë”, ashtu siç bëri Zinedin Zidan shumë vite më parë. Por krahasimi me francezin për momentin është vetëm ky, malazezit do i duhen shumë gola të tillë e paraqitje mbresëlënëse për t’u kthyer në një idhull të vërtetë në Torino.