Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shpreh keqardhje që opozita nuk propozoi emrin e Majlinda Bregut për Presidente.
Balla nuk komentoi nëse e përjashton mundësinë e kandidimit të Bregut nga vetë PS, por thuri lavde për ish-deputeten dhe ish-ministren demokrate.
“Kam vlerësim tejet pozitiv me znj. Bregu. Më vjen shumë keq që opozita nuk e propozoi znj. Bregu”, deklaroi Balla.
Drejtuesi i grupit parlamentar socialist tha se do ta votonte Ardian Dvoranin për President nëse do ta miratonte kryesia e PS.
I pyetur nga gazetarja Erla Mëhilli nëse emri i Bregut dhe Dvoranit janë në listën e emrave që do të diskutohen të shtunën në Kryesinë e PS-së, ai nuk e mohoi këtë gjë.
Ai tha se shpreson që kandidatin e socialistëve për President ta mbështesin më shumë se sa 74 deputetë.
“Shqipëria duhet të ketë një president sa më të pranuar nga të gjitha shqiptarët. Prandaj kemi thënë që nuk duam një president të PS, por të të gjithë shqiptarëve”, – tha Balla.