Aktualitet

Balluku dhe Spahiu në gjumë, dibranët mbledhin 3 mln lekë për të bërë vetë kanalizimet

Banorët e fshatit Luzni, 5 km larg qytetit të Peshkopisë, janë duke u përballur me kushte të vështira infrastrukturore dhe mungesë investimesh nga shteti.

Në një situatë ku asnjë investim publik nuk është realizuar, banorët kanë financuar vetë disa projekte të domosdoshme. Ata kanë hapur vetë një rrugë për kalimin e makinave, me një shpenzim prej 40 milionë lekësh, pasi shteti i ka lënë në harresë.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, ata janë detyruar të mbledhin 3 milionë lekë për ndërtimin e kanaleve të ujërave të zeza.

Furnizimi me ujë të pijshëm gjithashtu është realizuar privatisht nga banorët, ndërsa e vetmja shërbim që ofrohet nga shteti është rrjeti elektrik.

Ata kanë bërë me dhjetëra kërkesa dhe ankesa drejtuar autoriteteve lokale dhe qendrës administrative të zonës, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Banorët bëjnë thirrje për investime në infrastrukturë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, duke kërkuar që autoritetet shtetërore dhe lokale të reagojnë për t’u dhënë fund këtij izolimi dhe mungesës së shërbimeve thelbësore.

Mesazhi i banorëve:

Pershendetje joq albania, do kisha deshire ta publikoni, ndodhemi 5 km larg qytetit te Peshkopise ne qarkun Diber,jemi 15 shtepi pa asnje lloj investimi, pasi privatisht hapem rrugen 40 milion lek sepse skishim fare rruge makinash. Tani prap mblodhem 3 milion lek tjera per kanalet e zeza. Ujin e pijshem gjith e kane be privatisht, E vetmja gje qe kemi nga qeverite jane rrjeti elektrik Dhe asnje investim. Ankesa me mijerq kemi be ne qendren administrative te zones. Po mundet ta publikoni faleminderit. Ish komuna Luzni