Politikë

“Balluku i dorëzoi dorëheqjen Ramës sot në mëngjes, por ai nuk e pranoi. Arsyet e refuzimit të Kryeministrit”

Gazetari dhe analisti politik Baton Haxhiu deklaroi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka paraqitur sot në mëngjes dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, por kjo dorëheqje nuk është pranuar.

Sipas Haxhiut, dorëheqja e Ballukut ka qenë një akt i drejtpërdrejtë dhe formal, i ndërmarrë në kushtet e zhvillimeve të fundit lidhur me çështjen e saj në raport me drejtësinë.

Megjithatë, Rama ka vendosur të mos e pranojë, duke e konsideruar largimin e saj nga detyra jo si zgjidhje, por si një problem më të madh institucional.

Gazetari thekson se, në këndvështrimin e kryeministrit, pranimi i dorëheqjes do të nënkuptonte legjitimimin politik të një mase procedurale, përpara se të ketë një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sipas Haxhiut, Rama e sheh këtë si një precedent të rrezikshëm, që do të hapte rrugën që masa të përkohshme të drejtësisë të prodhojnë pasoja të pakthyeshme politike.

Në shpjegimin e tij, Baton Haxhiu nënvizon se Rama nuk po e trajton rastin si çështje personale të Ballukut dhe as si mbrojtje të saj politike. Përkundrazi, bëhet fjalë për një përplasje parimore mbi kufijtë mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Sipas kësaj logjike, qeveria nuk mund të riformatohet përmes presionit procedural, por vetëm përmes vendimeve përfundimtare.

Haxhiu shton se kryeministri po refuzon barazimin automatik mes hetimit dhe fajësisë. Në këtë kontekst, pranimi i dorëheqjes do të krijonte perceptimin e një pranim-faji politik, edhe pse procesi ligjor është ende në zhvillim.

Për Ramën, hetimi nuk përbën dënim dhe pezullimi nuk është i barabartë me shkarkimin.

Sipas gazetarit, rasti Balluku është shndërruar në një test më të gjerë për qeverinë dhe për mënyrën se si funksionon ndarja e pushteteve në Shqipëri.

Rama, sipas Haxhiut, ka zgjedhur të mos e mbyllë çështjen me një dorëheqje, por ta mbajë të hapur debatin institucional, edhe me koston e rritjes së tensionit politik.

Në përfundim, Baton Haxhiu vlerëson se vendimi i Ramës për të mos pranuar dorëheqjen është një akt i qëllimshëm politik, që synon të vendosë një kufi të qartë: qeveria nuk rrëzohet dhe nuk riformatohet nga masa paraprake, por vetëm nga vendime të formës së prerë.

Në këtë kuptim, çështja Balluku, sipas tij, ka dalë përtej individit dhe është shndërruar në një çështje parimi për funksionimin e pushtetit ekzekutiv. /skyweb.al