Politikë

Bashkia Tiranë paguan 200 mijë euro “5D”-në famoze të drejtorëve të Veliajt

Kompania “5D” e drejtorëve të Erion Veliajt të arrestuar nga SPAK-u është paguar nga Bashkia e Tiranës rreth 200 milionë lekë apo 200 mijë euro në datën 12 mars të vitit 2025, raporton CNA.

Një pagesë garancie për një investim të kryer. Garanci e cila bëhet nga kompanitë dhe tashmë Bashkia e Tiranës, edhe pse “5D” është sekuestruar, drejtorët e saj janë në burg dhe sot ka shkuar edhe fraksioni tjetër i dosjes famoze në gjykim, ka vazhduar pagesat.

Nuk kanë ndalur as garancitë e paguara të kompanisë.

Pra, çdo qindarkë që ka marrë “5D” apo ka mbyllur “5D” për llogari të Bashkisë Tiranë po u rikthehet drejtorëve, shkruan CNA.al.

Lind pyetja: Kush e paguan “5D”-në?
Ka urdhëruar Veliaj të paguhen? Urdhërojnë vetë drejtorët nga burgu të paguhen apo Bashkia e Tiranës tashmë është marrë nën drejtimin e kryeministrit Rama dhe e ka urdhëruar ky i fundit pas komandimit të nënkryetares Anuela Ristani në drejtim të bashkisë?

Tani ose Ramës po i hanë dardha prapa krahëve ose po ia urdhëron banda e drejtorëve stafin e bashkisë nga burgu i Fierit apo Erion Veliaj vazhdon të drejtojë stafin njësoj si më parë duke vazhduar detyrën e tij si kryetar i organizatës së drejtorëve të dosjes “5D”.

Dokumenti zyrtar i mëposhtëm konfirmon pagesën e datës 12 mars në Thesarin e Shtetit.

Kompania “5D” është paguar 200 milionë lekë ose 200 mijë euro.

Për një garanci, për një investim të kryer, për Rehabilitimin e Qendrës Kinostudio.

SQARIM!
Kjo lloj pagese kryhet në momentet kur investimi është kryer.

Pra, lidhet një kontratë, mbahet një garanci prej 10%, më pas, pasi përfundojnë punimet, kryhet supervizimi i plotë, kthehet garancia.

Pretendohet se investimi është kryer, ka përfunduar.

Kush është “5D”?
Historia e shoqërisë “5 D konstruksion” u krijua fill pasi në Bashkinë e Tiranës erdhi në krye Erion Veliaj, duke u bërë kështu një nga kompanitë kryesore që fiton tenderët në këtë institucion.

Kompania “5 D Konstruksion” u themelua në 21 janar të vitit 2016. Ajo u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin fillestar “Igor Elektrik”. CNA