Politikë

BE bllokon kapitullin e bujqësisë: pa gjykuar hajdutët e fondeve nuk ka negociata

Qeverisë shqiptare i është kërkuar një raport sqarues paraprak për çështjet e bujqësisë, ndër to edhe administrimi i fondeve të BE. Në bazë të këtij raporti do të vendoset nëse do të hapet apo jo grup-kapitulli përkatës.

Procesi po ndikohet edhe nga SPAK, i cili prej katër vitesh ka mbajtur pezull kallëzimin e Zyrës Anti-Mashtrim (OLAF) të BE-së për ish-drejtoreshën e AZHBR-së, Frida Krifcën.

Komisioni Europian ka paralajmëruar se nuk do të miratojë hapjen e Grup-Kapitullit për bujqësinë pa u gjykuar hajdutët e fondeve të fermerëve. Megjithatë, më 23 korrik, Edi Rama shpërndau një lajm sikur KE kishte hapur tashmë këtë grup-kapitull, duke përsëritur të njëjtin mashtrim që bëri edhe në maj 2025.

Në fakt, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të BE autorizoi vetëm Presidencën Daneze të ftojë qeverinë shqiptare të paraqesë pozicionin negociues, një procedurë paraprake dhe jo hapje e kapitullit. Delegacioni i KE në Tiranë e përgënjeshtroi publikisht Ramën, duke sqaruar se Shqipëria është vetëm në fazën e përgatitjes së procedurës, jo në hapje të kapitullit.

Raporti i BE-së i gushtit për ecurinë e sektorit të bujqësisë në Shqipëri ka evidentuar probleme serioze në adresimin dhe administrimin e fondeve. Komisioni thekson se keqpërdorimi i fondeve nuk krijon besim.

Në dokument përmenden abuzimet me 138 milionë euro nga programi “IPARD II”, fonde që ishin të destinuara për fermerët, por që përfunduan tek ndërtuesit e kullave, hoteleve, tek bizneset e pushtetarëve, familjarëve të tyre dhe tek trafikantë që ngritën bujtina e resorte.

Në mars 2021, Drejtoria për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në KE dhe Zyra Anti-Mashtrim (OLAF) përgatitën një dosje me prova për abuzimet dhe në qershor depozituan kallëzim penal në SPAK kundër Frida Krifcës.

Kryeministri Rama, në vend që të distancohej, e promovoi atë në postin e ministres së Bujqësisë dhe më pas e bëri këshilltare për fondet e BE-së në Kryeministri.

Nga ana tjetër, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka bllokuar prej katër vitesh hetimin, duke deklaruar vetëm pak ditë më parë se çështja është ende në fazën paraprake. Faktikisht, nuk është regjistruar asnjë çështje penale për Krifcën dhe ajo nuk është thirrur asnjëherë.

Nga raporti i BE-së është e qartë se ecuria e hetimit për abuzimet me fondet e fermerëve do të përcaktojë fatin e hapjes së kapitullit për bujqësinë. Procesi po pengohet nga SPAK, që ka lënë në sirtar kallëzimin e OLAF kundër ish-drejtoreshës së AZHBR-së, Frida Krifca.