Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka konfirmuar sot se Gazmend Bardhi do të vijojë të jetë kryetari i Grupit Parlamentar të PD.
Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, pritet të nisë punën më 10 shtator. Por për ta zyrtarizuar këtë datë do të duhet dekreti i firmosur nga presidenti Bajram Begaj.
Në bazë të rregullores së kuvendit, mbledhja e parë hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë.
Sipas të dhënave, deputeti më i vjetër 81 vjeç është Sali Berisha, e nëse do të refuzojë atëherë në radhë është një tjetër demokrat, Tritan Shehu.
Edhe pse kujdeset të thotë se vendimin do ta marrë grupi parlamentar, i pyetur në konferencën për shtyp, Berisha shpreh vlerësime maksimale për Bardhin.
Do shkoni me Gazment Bardhin si kryetar grupi në shtator?
Berisha: Do ta përcaktojë grupi parlamentar.
Është mundësia që Bardhi të mos jetë kryetar i grupit parlamentar në shtator?
Berisha: Nuk po prononcohem, por kam vlerësim qartësisht pozitiv për detyrën që Bardhi ka kryer si kryetar grupi. Funksionet ne i përcaktojmë në mënyrë demokratike, ka një rregull që do të zbatohet. Meqenëse po më pyet mua, Gazment Bardhi gjykoj se e ka kryer me dinjitet atë detyrë. Do të jetë grupi që e përcakton.
Ju do e votoni?
Berisha: A ka mundësi që sekretin e votës të ma respektosh? Kaq.
Do ta hapni seancën e 10 shtatorit?
Berisha: Nuk mund ta hap kurrë një Parlament jolegjitim, nuk mund t’i bëj vendit tim një anti-shërbim të tillë. Po të ishte legjitim, do ta bëja me kënaqësi. Ky Parlament nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.