Sali Berisha ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë gjatë mbledhjes së sotme me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike: PD do të pastrohet nga individët që bashkëpunojnë me Partinë Socialiste, apo që e përdorin opozitën si trampolinë për përfitime personale.
“Individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike. Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës. S’janë të shumtë, aq sa janë,” tha Berisha, duke lëshuar paralajmërimin për një valë përjashtimesh nga radhët e partisë.
Ai theksoi se kjo nuk është një hakmarrje personale, por një proces i domosdoshëm për pastrimin dhe rifreskimin e forcës politike, në prag të betejave të ardhshme. Berisha u ndal edhe te sjellja e disa drejtuesve të degëve që, sipas tij, u tërhoqën nga fushata e 11 majit sepse nuk ishin në listat e kandidatëve për deputetë.
“Poste drejtuese nuk mund të pretendojnë ata që nuk punojnë në fushatë. Nuk të ka borxh partia ty, edhe gabim po të ketë bërë. Të lutem, merr një pauzë, qetësohu”, tha ai.
Berisha e mbylli me një mesazh të prerë: “Nuk do zgjidhen në forume. Jo, nuk mund të zgjidhen”, duke përjashtuar rikthimin në funksione të atyre që, sipas tij, kanë tradhtuar besimin e anëtarësisë apo janë ndikuar nga interesat personale.