Gjatë një takimi me pensionistët në Elbasan, kreu demokrat Sali Berisha tha se rrogat gjatë qeverisjes së Edi Ramës u ngrinë, ndërsa çmimet u rritën trokthi.
Berisha tha se gjithashtu u gënjyen pensionistët të cilëve iu tha se do të indeksoheshin pensionet e tyre, por në fakt sot janë 15% më të ulëta, për shkak të rritjes së çmimeve.
“Rritja e çmimeve të ushqimeve të shportës dhe ilaçeve është 3.7 herë më e lartë se rritja e inflacionit të përgjithshëm që indeksohen pensionistët”, tha Berisha.
Ai e konsideroi mashtrim cinik dhe të pashpirt atë që iu bë pensionistëve. “Edi Rama ndërmorri vallen e pashpirtësisë, i mashtroi 1 muaj e gjysëm këta njerëz, duke akuzuar biznesmenët. Po pse e kanë fajin biznesmenët kur prej tyre janë mbledhur 8.2 mld euro, që janë të barazvlefshme me dy buxhete të vitit 2008. Pra çfarë bëri Edi Rama, i tha pensionistëve shikoni me inat biznesmenët”, tha Berisha.
Kreu demokrat u shpreh se Enver Hoxha nga paranoja që kishte paratë i bënte bunkerë dhe nuk ua jepte qytetarëve, por këta që janë sot në Qeveri paratë i vjedhin për vete.
“Në vitin 2013, me një përpjekje shumë të madhe, nga viti 2005, ne dolëm në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet, e hoqëm atë vulën e më të varfërve, sepse ajo vulë ishte shumë e pamerituar për ne, sepse ne jemi një vend me pasuri përrallore. Nuk ka një vend të dytë, jo në rajon, por askund me pasuritë që ka Shqipëria.
Ajo që ne trashëguam, më të varfrit e të varfërve, aty u shkëputëm nga ajo kohë. Në vitin 2013 kishim paga dhe pensione më të lartat se 6 vendet e rajonit, plus Buljgaria dhe Rumania.
Kjo ishte në radhë të parë vullnet politik. Shqiptarët duhet të dilnin shpejt nga varfëria. Nuk dolëm, por bëmë hapa shumë të mëdhenj përpara. Kaluam nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Kjo ishte, dhe aty e dorëzuam pushtetin, humbëm zgjedhjet, bëmë rotacionin.
Çfarë ndodhi? Ndodhi një dukuri që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Europës.
Për 12 vite u ngrinë rrogat në një politikë absolutisht kriminale, rrogat u ngrinë, çmimet u rritën trokthi.
Pensionet u shpallën se do indeksoheshin dhe ai u provua një mashtrim i madh. Pensionet absolutisht nuk u indeksuan, por nëse marrim indeksimin e fundit, që nuk ishte as 4 përqind, pensionet sot, 160 mijë lekë pensioni mesatar me 143 mijë që ishte pensioni në vitin 2013. Po të zbresësh inflacionin, janë të paktën 15 përqind më të ulëta.
Kjo në pamje të parë sepse inflacioni llogaritet duke marrë për bazë çmimet e dhjetëra artikujve.
Mirëpo për pensionistin, 60 përqind e tyre nuk kanë asnjë vlerë, as nuk i blen, as nuk i shet. Pensionisti ka në radhë të parë produktet bazë dhe ilaçet.
Këtu ndalemi. Në qoftë se i referohemi inflacionit të këtyre produkteve, ky inflacion, kjo rritje është 3.7 herë më e lartë se sa e rritja e inflacionit të përgjithshëm, për të cilin janë indeksuar pensionistët.
Rritja e çmimeve të shportës dhe ilaçeve është pra 3.7 herë më e lartë se sa rritja në tërësi e të gjithë produkteve.
Ky është pra një mashtrim i madh që u bëhet pensionistëve, një mashtrim cinik, i pashpirt”, tha Berisha .