Nëse ka një sfidë që nuk e shpërbleu Besën për lojën e zhvilluar, ishte pikërisht ajo ndaj Skënderbeut. Kavajasit dominuan në çdo aspekt, qarkullimin e topit, ritmin e lojës dhe rastet për shënim. Megjithatë, korçarët shfrytëzuan maksimumin, duke realizuar në të vetmin rast të rrezikshëm, madje edhe me ndihmën e një devijimi nga qendërmbrojtësi Abdulai.
Kjo humbje e fut Besën në një situatë delikate, ndërsa ndeshjet e radhës ndaj Lushnjës dhe Korabit në Luz pritet të jenë vendimtare për t’iu shmangur rrezikut të “play out”-it.
Ndeshja- Janë miqtë të parët që rrezikojnë, kur Naseri godet me kokë, por pa gjetur kuadratin. Më pas, loja flet vetëm për Besën, e cila merr kontrollin total dhe sulmon vazhdimisht drejt portës korçare, të mbrojtur nga ish-kavajasi Ilir Dobjani. Spahiu dhe Melo provojnë nga distanca, por pa saktësinë e duhur. Besa vazhdon presionin, ndërsa Skënderbeu mbështetet te kundërsulmet, me Beshirajn të izoluar nga prapavija verdhezi. Në minutën e 10-të, Spahiu godet në gjysmëlartësi, por një mbrojtës devijon topin në këndore. Në minutën e 31-të provon edhe Treni nga hyrja e zonës, por sërish pa sukses. Miqtë rikthehen në sulm vetëm në minutën e 33-të me Gjumësin, i cili tenton nga mbi 25 metra, por topi shkon jashtë.
Pak më pas, Vangjeli harkon në zonë, por Abdullahu ndërhyn dhe largon rrezikun. Pjesa e parë mbyllet me një rast të mirë për Besën, kur Spahiu depërton në zonë, por heziton dhe nuk finalizon, duke humbur një mundësi të artë. Pjesa e dytë nis me gol për miqtë. Një top i gjatë shkon drejt Beshirajt, i cili në dyluftim me Abdulain arrin të godasë dhe të shënojë golin e vetëm të takimit. Pas këtij momenti, Skënderbeu tërhiqet në mbrojtje, duke u fokusuar vetëm te ruajtja e rezultatit.
Besa rrit presionin dhe kërkon me çdo mënyrë barazimin, sidomos nga krahët me Kofin dhe Kapon, që sjellin shumë krosime në zonë. Megjithatë, mbrojtja mike reziston. Kavajasit provojnë edhe me goditje nga distanca me Danajn dhe Kordeiron, por portieri Dobjani shfaqet në një formë të shkëlqyer, duke neutralizuar çdo tentativë. Edhe Çinuend ka disa përballje direkte me portierin, por “gardiani” i Skënderbeut del fitues në çdo duel, duke qenë padyshim lojtari më i mirë i ndeshjes. Në fund, të gjitha përpjekjet e Besës rezultojnë të kota, ndërsa Skënderbeu merr një fitore shumë të rëndësishme në garën për ngjitjen në Superiore, duke përfituar edhe nga hapi fals i Laçit. Nga ajo që u pa në fushë, Besa të paktën meritonte një pikë, por futbolli nuk fal.
Besa-Skënderbeu 0-1
Goli: Beshiraj 47’
Besa Abdullahu, Kapo, Abdulai, Neto, Kofi(Nurja 84), Migone, Hasani(Gjinaj 84’), Kordeiro, Spahiu (Danaj 72’), Treni(Rrena 46’), Çinuendu. (Në dispozicion: Dema, Daja, Puqja, Begaj, Hebeja, Guhacaj). Trajner: Gugash Magani
Skëndërbeu: Dobjani, Ramos, Dumfur, Shaqe, Janaqi, Abubakar(Çela 90’), Estrela, Vangjeli, Gjumsi (Çuçka 76’), Nasr (Gjini 76), Beshiraj (Gjata 90’). (Në dispozicion: Dervishaj, Paloka, Musa, Zenullari, Arflot). Trajner: Ernest Gjoka
Kartonë të verdhë: Abdullahu 56’, Çinuendu / Beshiraj 56’, Vangjeli 59’, Janaqi 86’
Gjyqtarë: O. Ferataj (Patos), E. Burgu (Fushë-Krujë), D. Mile (Lushnjë)
Delegat: Erald Shera (Shijak)
Vëzhgues: Arben Pregja (Tiranë)
Gjoka: Fitore e merituar
Skuadra korçare ka arritur menjëherë të bëjë autokritikën e barazimit të mesjavës me Korabin. Ernest Gjoka, trajneri i Skënderbeut, pas fitores minimale me Besën në transfertë. shkurtimisht për “Panorama Sport” u shpreh: “Ishte një ndeshje mjaft e vështirë. E prisnim të tillë pasi Besa na vuri shumë në vështirësi, por futbolli luhet për gol dhe ne ia arritëm të shënonim. Natyrisht, për mua ishte një fitore e merituar”
Trajneri i Besës
Shpërthen Magani: Dominuam, por fati na ktheu shpinën
Tejet i mërzitur u shfaq trajneri Gugash Magani pas përfundimit të takimit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai theksoi se i vjen keq që ndeshje të tilla mbyllen pa marrë asnjë pikë. “Besa ka humbur edhe ndeshje të tjera dhe unë kam pranuar meritat e kundërshtarit, si dhe gabimet tona. Por në këtë përballje dua të falënderoj lojtarët e mi, që dhanë gjithçka në fushë përballë kryesuesve, Skënderbeut. Me përjashtim të rastit të golit dhe ndonjë goditjeje nga distanca të korçarëve, ne dominuam thuajse 80% të takimit, si në qarkullimin e topit, ashtu edhe në rastet për shënim. Të dominosh në këtë mënyrë dhe të mos arrish të paktën barazimin, për mua është vërtet për t’u ndjerë keq. Ky është rasti kur ke fatin kundër, sepse edhe kur bën gjithçka mirë në fushë, nuk arrin të marrësh atë që meriton”.
