Besa ka mposhtur Kukësin dy herë brenda pak ditës, madje me të njëjtin rezultat, 2-1. Ndryshe nga sfida e fazës së dytë në kryeqytet, dje Besa ka dominuar tërësisht ndaj verilindorëve në fushën e Plugut, në Lushnjë. Kjo fitore erdhi falë dominimit total të verdhezinjve, që nuk harruan të shfaqin “sëmundjen” e shpërdorimit të rasteve flagrante.
I ardhuri para pak ditësh, Abiodoun Tayo Razak “la nam”, kur dy herë i vetëm para portës, nuk ia doli të shënonte. Gjithsesi, Besa e nisi me fitore fazën e tretë, duke bërë detyrën dhe mbajtur sy e veshë nga rivalët, që gjithashtu fituan. Këtë sukses kavajasit ia dedikuan në formë ngushëllimi mesfushorit të tyre, Andri Stafa, pasi babai i tij u nda nga jeta një ditë para ndeshjes.

PJESA E PARË – Besa zbriti në fushë e Plugit pa Mazrekajn e Mëllugjën, tashmë të përjashtuar nga ekipi pas vendimit të marrë nga presidenti Nexhat Bizhdili. Të vetëdijshëm se asnjë rezultat tjetër veç fitores nuk pranohet, kavajasit e nisën me vrull takimin. Nonato, që në minutën e 3-të tenton me kokë, por topi doli jashtë. Miqtë provojnë një minutë më vonë me Danajn, por edhe ai gabon nga distanca. Ky do të ishte rasti i vetëm i Kukësit, pasi Besa do të dominonte totalisht, duke provuar raste të shumta me Oliverën e Kapon. Për të ardhur në minutën e 26-të, kur shtatlarti Nuredin Abdulai godet me kokë dhe shënon. Ky gol shton më shumë dëshirën e Besës për fitore. Miqtë tentojnë rrallë të kundërsulmojnë me Danajn dhe Egbutudike, por pa rrezikuar. Për të ardhur te minuta e fundit e pjesës së parë, ku Nonato “kopjon” Abdulain, pasi me kokë shënon golin e dytë duke qetësuar trajnerin Çela. 2-0 mbyllet pjesa e parë.
PJESA E DYTË – Me të filluar ky fraksion, miqtë surprizojnë, kur Avdiu me kokë shfrytëzon një goditje këndi të dhënë nga Dragoshi dhe rezultati ngushtohet në 2-1. Oliveira nga një goditje këndi jep imazhin e golit, por jo, topi “qeth” shtyllën pingule. I futur në pjesën e dytë, Razak në të 60-ën habit kur i vetëm me portën, vonon të godasë. Do të jetë po Razak që këtë herë e bën lëmsh dhe 3-4 metra nga portieri nuk shënon. Loja rikthehet në dominimin e Besës pas njëfarë balancimi nga minutat 45-60. Rastet nuk mungojnë, por gola nuk ka. Besa fiton ndaj Kukësit duke ruajtur distancën me kreun, ndërsa Kukësi mbetet në zonë pasigurie.
BESA – KUKËSI 2-1
GOLAT: Abdulai 26’, Nonato 45’, Avdiu 49’
BESA: Ahmetaj, Frashëri (Ramilli 63’), Abdulai, Goxha, Kapo (Nurja 85’), Migone, Olivera, Gjinaj (Kruz 63’), Spahiu, Greca, Nonato (Razak 54’). ( Në dispozicion: Zaganjori, Doudu, Perja, Puqja, Bedzrah). Trajner: Emiliano Çela
KUKËSI: Dervishi, Dragoshi, Oliver, Xhekson, Jusuf, Sefa (Hasanaj 46’), Danaj (Selita 77’), Avdiu (Metani 77’), Pecani (Grezda 65’), Okonkuo, Egbutudike (Bircaj 46’). (Në dispozicion: Samuel, Mejdani, Sulçe, Lamellari, Hilaj). Trajner: Alfred Allamani
KARTONË TË VERDHË: Goxha 66’, Ramilli 90’. Allamani 45’ (trajneri), Malaj 46’(zv.trajner), Onkonkuo 58’,
Karton i kuq: Malaj 46’(zv.trajner))
GJYQTARË: E.Spahiu, G.Cenolli, F.Muça (Tiranë)
VËZHGUES: Albano Janku (Tiranë)
DELEGAT: Krenar Alimehmeti (Tiranë)
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
Kavajasit
Çela: Duhet të fitonim më thellë
Besa ka shfaqur shumë luhatje në javët e fundit, por ama ndaj Kukësit ka arritur që të marrë 6 pikë në dy përballjet e ditëve të fundit. Emiljano Çela, trajneri i Besës, pas ndeshjes u shpreh: “Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ashtu siç e kishim parashikuar. U munduam me kontigjentin që kishim, pasi disa lojtarë nuk i kishim të gatshëm. Jam i kënaqur nga të gjithë lojtarët, pasi dhanë maksimumin. Pjesën e parë e mbyllëm 2-0, por mund të kishim shënuar edhe golin e tretë. Pas golit të Kukësit, gjithçka u bë më interesante. Të shikoja ekipin të vuante siç vuajtëm, pasi në dispozicion ishin 40 minuta. Konstatova me kënaqësi se reaguam dhe mund e duhej të kishim thelluar rezultatin”.