Një vit më parë, thuajse në këtë periudhë, në janar, Beshiktash investoi 10 milionë euro për të blerë kartonin e Muçit nga Legia e Varshavës, një shifër shumë e lartë të cilën Muçi nuk arriti ta justifikojë dhe u bë shkas për të shpërthyer një valë akuzash. Pas një viti, Muçi e sheh sërish veten në merkato, por sigurisht klubi turk nuk ka ndërmend ta lëshojë aq lehtë, pasi disa ditë më parë refuzuan një ofertë prej 4 milionë euro e ardhur nga Championship.
Drejtuesit e Beshiktash shpresojnë që për Muçin të vijë një ofertë më e lartë pasi sulmuesi shqiptar ka disa admirues në Angli, fill pas paraqitjes së tij fantastike kundër Aston Villa-s ku i shënoi 3 gola në përballjen dyshe në Evropë. Mbetet për t’u parë se çfarë ofertash do të vijnë në drejtim të Muçit pasi të hapet zyrtarisht edhe merkato e dimrit.