Në 11 maj mbahen zgjedhjet parlamentare, ndërsa përtej listës së mbyllur, gara më e fortë pritet në atë që konsiderohet si lista e hapur e partive apo koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje.
Përtej garës mes subjekteve politike, duket se ka një garë edhe vetë brenda partive, pasi çdo kandidat në listën e hapur duhet të sigurojnë votat preferenciale ose personale për të shpresuar se do të kenë një vend në parlamentin e ri.
Edith Harxhi, e cila garon në listën e hapur të PD-së, shprehet se nuk ka kufizim në fushatën e saj në Qarkun e Tiranës. Harxhi theksoi se pavarësisht se është e deleguar në njësitë 9 dhe 10 të Tiranës, ajo ka krijuar shtabin e saj elektoral, me figura të PD-së ndër vite, që i mundësojnë fushatën në të gjithë degët e PD-së në Qarkun e Tiranës.
“Kam zhvilluar shumë takime, pikërisht për faktin se kam afruar figura që kanë qenë pjesë e PD-së ndër vite,. Kjo më jep mundësinë që të kem takime me qytetarët jo vetëm në atë që konsiderohet si qendra e Tiranës, por edhe në Kamëz, Rrogozhinë, Kavajë, si dhe zonat e tjera të qarkut të Tiranës”, tha Harxhi në emisionin ‘Log.’.
E pyetur nëse ka shanse që Berisha të zhvillojë një vizitë në SHBA, Harxhi tha se bazuar në informacionet që ajo ka, kreu demokrat do të udhëtojë drejt SHBA para zgjedhjeve. “Besoj se do të kemi një vizitë para 11 majit”, tha Harxhi. Ajo u shpreh se këtë e bazon në informacionet e saj.