Skandali i madh financiar i mikrokredive vijon të zgjerohet pasi së fundmi ka dalë dritë se banka të njohura si Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Procredit dhe Raiffeisen Bank janë përfshirë në vjedhjen e rreth 40 milion eurove nga qytetarët.
Dosja e prokurorisë përshkruan një sërë abuzimesh, ku qytetarët janë shtrënguar të marrin kredi të reja për të shlyer borxhe të fryra, ndërkohë që pasuritë e tyre, përfshirë 11,000 llogari bankare në BKT, janë sekuestruar.
Sipas dosjes nga weblajm, përveç BKT, bankat Procredit dhe Raiffeisen kanë pasur marrëdhënie preferenciale me kompani të tilla si MCA dhe Final, të cilat kanë blerë kredite e pashlyera dhe kanë ushtruar presion ndaj qytetarëve për të marrë kredi të reja për të shlyer borxhet. Kjo ka ndodhur kryesisht përmes shoqërive përmbarimore, të cilat kanë përdorur metoda të padrejta për të detyruar qytetarët të pranojnë kushte të ngarkuara për të paguar borxhe.
Pjesë nga dosja për BKT:
Qytetarët jane imponuar qe përmes llogarive të sekuestruara bankare ( vetëm në BKT më shumë se 11,000 llogari bankare të sekuestruara vitin e fundit,) sidomos llogari page (tě cilat janë mbajtur pa afat te sekuestrura), apo përmes sekuestrimit të pronave të paluajtshme, pa asnjë mundësi per përballimin e jetesës së përditshme, janë shtrënguar për të marrë kredi të reja, për të ristrukturuar të vjetrën” apo për te paguar detyrime në vlera të fryra.
Një nga elementët më shqetësues të skandalit është fakti që, edhe pas kalimit të pronave në pronësi të kompanive MCA dhe Final, qytetarët nuk janë çliruar nga borxhet, dhe sekuestrot ndaj aseteve të tjera ka vazhduar. Sipas informacionit të siguruar nga Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, MCA ka mbledhur rreth 30 milion euro deri në fund të vitit 2023, ndërsa Final ka arritur 6.8 milion euro nga mbledhja e këtyre borxheve.
Një tjetër pjesë shqetësuese e dosjes është përdorimi i ankandeve fiktive për të kaluar pronat e qytetarëve në duar të tjera, duke krijuar një rrjet të gjerë pasurish të paluajtshme të humbura për qytetarët, me një numër që arrin rreth 1700 pasuri.
Skandali ka marrë përmasa të mëdha dhe priten veprime të shpejta nga SPAK për të hetuar dhe ndëshkuar përgjegjësit e përfshirë, ndërsa kjo dosje është aktualisht nën hetim dhe pritet që të pasohet me arrestime dhe sekuestro të aseteve./JOQ