Aktualitet

“Bollino i theu syzet gazetares në redaksi…”/ Gazetarja rrëfen ngjarjen: U betova se nuk do punoja kurrë me..

Gazetarja Ambrozia Meta ka rrëfyer një ngjarje personale aspak normale për një redaksi lajmesh, siç është redaksia e Shqiptarja.com, në pronësi të Carlo Bollino.

Në postimin e saj në Facebook, Meta ka kujtuar një situatë kur ishte studente dhe kryente praktikën te Shqiptarja.com, kur në një moment botuesi Carlo Bollino ishte future në redaksi me një grumbull gazetash të asaj dite dhe i kishte përplasur me forcë në tavolinën e punës së një gazetareje, dhe në momentin kur kjo e fundit i kishte larguar nga tavolina, kishte parë syzet e saj të thyera.

‘Kur u largua, duke tërsëllitur me shqipen e tij të çalë, kolegia që ishte në krahun tim ngriti gazetat që ai i kishte hedhur me përçmim dhe pa syzet e saj të thyera. Ishte momenti kur u betova që nuk do të punoja kurrë me atë botues, edhe sikur të lija përgjithmonë gazetarinë dhe të shisja rroba online’, shkruan Meta.
>Këtë moment Meta e ka risjellë në vëmendje, duke theksuar se ‘m’u kujtua ky episod sot, kur pashë që i njëjti botues kishte bërë një kronikë shoqëruese për heqjen nga puna të një gazetari, duke argumentuar me sinkrone dhe efekte arsyet se përse e shkarkoi, për të thënë se ndonjëherë nuk është vetëm çështje e lirisë së medias, është mentaliteti me të cilin disa pronarë mediash mendojnë se të mbajnë shpirtin gjallë, mendojnë se kanë fatin tënd në dorë’.Postimi i plotë:

Kur isha në vit të tretë të fakultetit, për shkak se ndiqja atelienë e shtypit të shkruar, pedagogu i diplomës më ofroi një praktikë 3-mujore pranë gazetës Shqiptarja.com.

Një pasdite, botuesi i gazetës hyri në redaksi dhe i përplasi me forcë gazetat e asaj dite mbi tavolinën e një gazetareje dhe pastaj, me fyerje e epitete, iu turr kryeredaktorit duke i bërtitur, sepse nuk i kishte dhënë hapësirën e duhur një lajmi që mediat e tjera e kishin trajtuar gjerësisht.

Kur u largua, duke tërsëllitur me shqipen e tij të çalë, kolegia që ishte në krahun tim ngriti gazetat që ai i kishte hedhur me përçmim dhe pa syzet e saj të thyera. Ishte momenti kur u betova që nuk do të punoja kurrë me atë botues, edhe sikur të lija përgjithmonë gazetarinë dhe të shisja rroba online.

M’u kujtua ky episod sot, kur pashë që i njëjti botues kishte bërë një kronikë shoqëruese për heqjen nga puna të një gazetari, duke argumentuar me sinkrone dhe efekte arsyet se përse e shkarkoi, për të thënë se ndonjëherë nuk është vetëm çështje e lirisë së medias, është mentaliteti me të cilin disa pronarë mediash mendojnë se të mbajnë shpirtin gjallë, mendojnë se kanë fatin tënd në dorë.

Të mjerë! Ju nuk keni asnjë imazh për të mbrojtur!