Sport

Brazili gati për ndeshjet e fundit kualifikuese, Ancelotti lë jashtë Vinicius-in

Data FIFA e shtatorit po afron dhe përfaqësueset kombëtare hyjnë në një tjetër ndalesë ndërkombëtare për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026. Në Amerikën e Jugut kanë mbetur vetëm dy sfida për të përcaktuar skuadrat që do të jenë në turneun e madh, megjithëse Argjentina, Brazili dhe Ekuadori e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen.

Të hënën, Federata e Futbollit të Brazilit njoftoi se më 25 gusht, në Rio de Janeiro, do të publikohet lista zyrtare për dy ndeshjet e fundit para Kupës së Botës.

Seleção do të presë Kilin më 5 shtator (02:30) dhe më pas do të udhëtojë për t’u përballur me Bolivinë më 10 shtator (01:30).

Sipas “Globo Esporte”, trajneri Carlo Ancelotti nuk do të grumbullojë Vinicius Jr. për këto ndeshje.

Sulmuesi i Real Madrid-it është i pezulluar ndaj Kilit për shkak të kartonit të verdhë të marrë kundër Paraguait dhe për këtë arsye tekniku italian ka vendosur ta lirojë nga grumbullimi, duke shmangur edhe lodhjen në kushtet ekstreme të lartësisë në Bolivi (mbi 4.100 metra mbi nivelin e detit).

Nga ana tjetër, dy lojtarë të tjerë të Real Madrid-it, Rodrygo dhe Éder Militão, pritet të jenë pjesë e listës.

Të dy munguan në grumbullimin e qershorit për shkak dëmtimesh, kur Brazili luajti ndaj Ekuadorit dhe Paraguait, duke siguruar kualifikimin.

Kësaj radhe ata janë rikuperuar dhe do të kenë mundësinë të debutojnë me kombëtaren nën drejtimin e ish-trajnerit të tyre te madrilenët.