Aktualitet

Burime për media njoftojnë: Ilir Proda pritet të shkarkohet nga detyra

Ilir Proda pritet të shkarkohet nga detyra në ditët në vijim, bëjnë me dije burime jozyrtare për Maska.al.

Sipas këtyre burimeve, largimi i tij mund të shoqërohet me tensione të forta dhe me nisjen e hetimeve nga SPAK ndaj tij.

Ky zhvillim vjen vetëm dy ditë pas ndryshimeve të fundit në radhët e Policisë së Shtetit.

Ashtu siç ishte paralajmëruar prej kohësh, lëvizjet në strukturat drejtuese po vijojnë hap pas hapi.

Së fundmi, dorëheqjen e ka dhënë drejtori i Policisë së Dibrës, Artion Duka.

Me urdhër të Ilir Prodës, në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër është komanduar përkohësisht Armir Gjikolaj.

Zyrtarisht, Policia e Shtetit njoftoi se dorëheqja e Dukës është dhënë për arsye familjare. Megjithatë, burime pranë institucionit bëjnë me dije se shkaqet reale lidhen me procesin e vlerësimit të performancës së drejtuesve vendorë të policisë.

Prej kohësh, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur në “test” të gjithë drejtorët e qarqeve, duke analizuar rezultatet dhe eficiencën e tyre në luftën kundër kriminalitetit. Ky proces po realizohet nga Drejtoria e Standardeve, nën mbikëqyrjen direkte të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Në këtë kontekst, burimet nuk përjashtojnë që ndryshimet të prekin edhe nivelet më të larta drejtuese në ditët në vijim.

Proda u emërua në krye të Policisë së Shtetit pas një konkurrimi ku morën pjesë mbi më shumë se 10 drejtues të lartë policie.

Ministri i Brendshëm u pyet lidhur me një episod kur Ilir Prodës, i cili ka drejtuar Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, SPAK i kishte sekuestruar telefonin, pas dyshimeve, se një operacion kundër bandave në Elbasan ishte dekonspiruar.

“Fakti që të gjitha organet ligjzbatuese u pyetën në një kohë rekord, po ashtu dhe përgjigjja e tyre ishte shumë e shpejtë, kandidaturat janë verifikuar nga çdo organ ligjzbatues dhe pastërtia e tyre është në përputhje të plotë me ligjin”, tha Hoxha në reagimin e tij.

/ Maska.al