Burreli ka treguar forcën edhe ndaj të mëdhave, gjë të cilën e tregojnë edhe rezultatet. Në fundjavë matjanët fituan me përmbysje ndaj Valbonës, por trajneri Bicaj nuk ka mbetur i kënaqur nga ekipi. Duhet pranuar se u përdor rotacioni, pasi ekipi është fokusuar te faza “play off”. Pas ndeshjes me Valbonën, për “Panorama Sport”, trajneri Ditmar Bicaj u shpreh: “Një ndeshje me dy tablo, pasi jam i pakënaqur nga pjesa e parë, ku aktivizuam lojtarë që kanë pasur më pak minuta.
Normalisht, prisja më shumë nga këta lojtarë, por kemi oshilacione në lojë kur bëjmë ndryshime në formacion mes titullarëve dhe pjesëtarëve të stolit. Po e përsëris, jam i pakënaqur me djemtë, që u aktivizuan në pjesën e parë. Në pjesën e dytë bëmë ndryshime, ku aktivizuam pesë futbollistë që kanë kontribuar gjatë gjithë sezonit dhe u përmbys rezultati. Megjithatë, u bë një takim i bukur dhe Valbona meriton komplimente, pasi na vuri në vështirësi dhe luajti futboll shumë të bukur”.