Bylisi duket më i fokusuar se kurrë te kampionati, në një moment kur kalendari i vendos mallakastriotët përballë disa dueleve delikate, si në transfertë ashtu edhe në fushën e tyre. Vetëm 24 orë para sfidës me Teutën në Durrës, skuadra vijon e grumbulluar, me objektivin e qartë, marrjen e një rezultati pozitiv në “Niko Dovana”.
Organika është e plotë dhe trajneri Mirel Josa, së bashku me stafin teknik, po punon intensivisht për të integruar sa më mirë afrimet e merkatos së janarit. Siç u pa edhe në ndeshjet e skuadrës B dhe në takimin e Kupës së Shqipërisë, disa prej lojtarëve të rinj morën menjëherë minuta si titullarë, duke dhënë sinjale pozitive.
Pritshmëritë janë të larta, sidomos nga afrimet me eksperiencë, ku vëmendja është përqendruar te sulmuesit Vieira dhe Olavio. Në seancat stërvitore të fundit, Josa ka punuar kryesisht në aspektin taktik, duke e ndarë skuadrën në dy grupe për të ndërtuar skemën dhe për të përcaktuar formacionin që do të hedhë në fushë nesër në orën 16:30.
Bylisi ka në përbërje lojtarë cilësorë dhe pas merkatos së dimrit, grupi është bërë më konkurrues në çdo repart. Nga porta deri në sulm, 20-shja e mallakastriotëve paraqitet solide dhe me alternativa të shumta. Tashmë mbetet vetëm harmonizimi i plotë i grupit për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin. Sfida në Durrës ka rëndësi të veçantë edhe në aspektin psikologjik, pasi më pas Bylisin e presin përballje të forta: ndeshja në shtëpi me Vllazninë, transferta në Elbasan dhe mbyllja e fazës së tretë ndaj Vorës në Ballsh.
Katër duele vendimtare, ku objektivi është grumbullimi i sa më shumë pikëve për të mos e ndërlikuar pozicionin në zonën e ftohtë të renditjes. Edhe sezonin e kaluar, pikërisht në këtë fazë, Bylisi reagoi fuqishëm falë përforcimeve të janarit, duke siguruar pikë të rëndësishme, përfshirë edhe fitore në transfertë. Me 13 ndeshje të mbetura deri në fund, për mallakastriotët kanë nisur “finalet” e mbijetesës – dhe gjithçka fillon nga Durrësi.