Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mesditën e kësaj të premte në vendin e njohur si Qafa e Murrizit, në Rrugën e Arbrit. Një makinë luksoze elektrike “Avatr 12” dhe një kamion janë përplasur “kokë më kokë”.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë kamionin të spostuar disa centimetra në anën e djathtë, në korsinë e vet, kurse makina elektrike me teknologji të fjalës së fundit dhe e prodhuar në Kinë, ka përfunduar në kanal, e ndarë në dy pjesë.
Rrethanat e përplasjes janë të paqarta, pasi makina elektrike “grand coupe” Avatr 12 është e pajisur me sistemet më të fundit inteligjente dhe nuk dihet nëse ato kanë funksionuar në momentin e aksidentit.
Pra, nëse ka qenë makina elektrike ka dalë nga kontrolli dhe është futur në korsinë e kamionit, apo ka qenë drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë ai që ka kryer manovër të gabuar dhe ka përplasur Avatr 12.


AVATR 12 është një makinë Shooting Brake e klasit të lartë (ose fastback/gran coupe), tërësisht elektrike, e zhvilluar nga Changan, Huawei dhe CATLAi, e cila paraqet një dizajn të veçantë dhe futuristik me një bateri 94.53 kWh, fuqi maksimale 425 kW, dhe shpejtësi nga 0-100 km/orë në 3.8 sekonda.
Avatr 12 shquhet për integrimin e teknologjisë më të fundit nga Huawei, me një sistem drejtimi ADS 2.0 / 3.0, i cili përdor deri në 29 sensorë inteligjentë, duke përfshirë tre LiDAR, që lejojnë mjetin të udhëtojë në autostrada dhe qytete me ndërhyrje minimale.
Gjithashtu, kjo makinë ka të integruar dhe sistemin CAS (Collision Avoidance System), i cili parandalon përplasjet, duke përfshirë frenimin automatik të emergjencës (AEB) që funksionon edhe në rrugë të rrëshqitshme me shi ose borë./Newsbomb.al